Vendosni fjalën kyçe....

SHBA sekuestron një cisternë të sanksionuar pranë Venezuelës


Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një cisternë të madhe nafte të sanksionuar pranë brigjeve të Venezuelës, konfirmoi Presidenti Donald Trump të mërkurën, duke rritur ndjeshëm tensionet me regjimin e Nicolas Maduros dhe duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare.

Sapo kemi sekuestruar një cisternë pranë Venezuelës, një cisternë shumë të madhe, madje më të madhen ndonjëherë. Edhe gjëra të tjera po ndodhin,” deklaroi Trump.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me ngarkesën e naftës, ai u përgjigj: “E mbajmë ne, besoj.

Qeveria e Venezuelës reagoi duke e cilësuar veprimin si “vjedhje të hapur” dhe “akte piraterie ndërkombëtare”, duke paralajmëruar se do ta denoncojë rastin në organizatat ndërkombëtare.

Sipas burimeve të sigurisë detare, cisterna e kapur besohet të jetë VLCC “Skipper”, e sanksionuar më herët nga SHBA për transport të paligjshëm të naftës iraniane, përcjell Reuters.

Para sekuestrimit, ajo kishte ngarkuar rreth 1.8 milion fuçi naftë të rëndë Merey nga porti venezuelian José dhe kishte transferuar një pjesë të ngarkesës në një anije tjetër drejt Kubës.

Pamje të publikuara nga Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, treguan ushtarakë amerikanë duke zbritur me litarë nga helikopterët mbi anijen e sekuestruar.

Nga ana e saj, ambasada iraniane në Caracas e dënoi veprimin si “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”.

 

Konteksti i tensionuar

Kjo është hera e parë që administrata Trump ndërhyn drejtpërdrejt ndaj një ngarkese nafte venezueliane që prej vendosjes së sanksioneve në vitin 2019 dhe pas nisjes së grumbullimit të madh ushtarak amerikan në Karaibe.

Sekuestrimi vjen teksa SHBA ka kryer më shumë se 20 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor, operacione që kanë shkaktuar debat ligjor, pasi mbi 80 persona kanë humbur jetën, ndërsa prova të qarta për ngarkesa droge nuk janë bërë publike.

Një anketë Reuters/Ipsos e publikuar të mërkurën tregon se shumica e amerikanëve kundërshtojnë këto sulme, përfshirë edhe rreth 20% të mbështetësve republikanë të Trump.

Efekti në tregun e naftës
Pas lajmit për sekuestrimin:

Brent u rrit me 0.4% në 62.21 dollarë për fuçi

WTI u rrit me 0.4% në 58.46 dollarë për fuçi

Analistët e shohin këtë si një goditje të re për furnizimin global të naftës, duke theksuar se kjo mund të shtojë pasigurinë në tregje, edhe pse efekti i menjëhershëm është i kufizuar.

 

Reagimet dhe sfondi politik

Presidenti Maduro nuk komentoi drejtpërdrejt sekuestrimin në daljen e tij të fundit publike, por ka akuzuar vazhdimisht administratën Trump se po përgatit një ndërhyrje ushtarake për ta rrëzuar nga pushteti dhe për të marrë kontrollin e rezervave të mëdha të naftës të Venezuelës.

Ndërkohë, SHBA ka rritur presionin ndaj Caracas-it, ndërsa dokumenti më i fundit i strategjisë së politikës së jashtme të Trump synon “ri-vendosjen e dominimit amerikan në Hemisferën Perëndimore”.

Në sfond, Venezuela ka rritur eksportet e saj muajt e fundit, duke arritur mbi 900,000 fuçi në ditë, por me çmime të ulëta për shkak të konkurrencës nga nafta e sanksionuar ruse dhe iraniane.

Administrata Trump nuk ka bërë ende publik emrin e kapitenit dhe ekuipazhit të cisternës, as se ku po mbahet anija për momentin.