
Klodian Braho u zgjodh sot kryetar i SPAK me 7 vota nga anëtarët e KLP, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, Altin Dumani.
Kandidati tjetër Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj 1 votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë. Braho do të fillojë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor, duke nisur mandatit trevjeçar në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Pas zgjedhjes, kryeministri Edi Rama reagoi në platformën X, duke përgëzuar Brahon për arritjet e pamohueshme të SPAK dhe duke garantuar mbështetje të palëkundur:
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet,” shkroi Rama.