Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji i ri i Koncesioneve/ Ibrahimaj: Çdo kontratë me analizë kosto-përfitim dhe studim fizibiliteti


Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për Koncesionet”, i cili pritet të miratohet këtë të enjte.

Ligji vendos rregulla të reja që synojnë transparencë dhe kontroll më të fortë mbi çdo kontratë koncesionare dhe PPP në vend.

Sipas Ibrahimajt, projektligji parashikon që nuk do të jepet më asnjë koncesion i pa kërkuar, hiqet praktika e kontratave me tarifë simbolike 1 euro dhe çdo studim fizibiliteti dhe projekt-kontratë do të miratohet paraprakisht nga Ministria e Financave. Gjithashtu, do të kërkohen raporte tremujore monitorimi dhe do të përgatitet raporti vjetor i portofolit PPP.

“Rrisia më e madhe që sjell ky projektligj është lidhja e detyrueshme me sistemin e kontrollit të menaxhimit të investimeve publike. Çdo projekt me ndikim të lartë fiskal dhe ekonomik do të kalojë të njëjtat filtra si investimet publike: analizë kosto-përfitimi, fizibilitet teknik-financiar dhe vlerësim për qëndrueshmëri afatgjatë,” tha Ibrahimaj.

Një tjetër risi e ligjit është ngritja e “Njësisë së Zbatimit të Kontratës” pranë autoriteteve kontraktuese, e cila do të jetë përgjegjëse për menaxhimin dhe monitorimin e performancës së kontratave, duke siguruar transparencë dhe ruajtjen e të dhënave në memorien institucionale.

Projektligji gjithashtu vendos që të gjitha garat për koncesione të zhvillohen me procedurë të hapur, ndërsa për Partneritetin Publik-Privat mund të përdoren procedura të kufizuara ose me negociim, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe standardet e BE-së.

Ministrja theksoi se aktualisht në Shqipëri janë 233 kontrata koncesioni ose PPP, kryesisht në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, me një peshë investimesh që kap 27% të prodhimit të brendshëm bruto.

Nga këto, vetëm 11 kontrata kanë mbështetje buxhetore direkte, duke përfaqësuar 2.2% të të ardhurave tatimore.

Ky ligj synon të rrisë transparencën, kontrollin fiskal dhe të shmangë angazhimet e bashkive në kontrata afatgjata pa kapacitete dhe pa analizë të ndikimit ekonomik dhe financiar.