
Një interpelancë u zhvillua sot në Kuvend mes ministit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, dhe deputetes së PD-së, Ina Zhupa, me kërkesë të kësaj të fundit, lidhur me projektin TID në Durrës dhe ndikimin e tij në banorët e zonës së prekur.
Deputetja Zhupa akuzoi qeverinë se projekti sjell shpronësimin e mbi 70 familjeve, të cilët, sipas saj, janë pronarë të ligjshëm dhe po përballen me një “masakër urbanistike” që rrezikon të shkatërrojë identitetin historik të qytetit.
“Qyteti 3 mijëvjeçar po shkatërrohet. Keni sjellë një projekt pushtuesish në Durrës. Si e hartuat këtë projekt? A u konsultuat me banorët? Si mund të zhvillohet turizmi duke shkatërruar trashëgiminë e qytetit?”, deklaroi Zhupa, duke theksuar se banorëve u ka ardhur vetëm letra e shpronësimit pa asnjë proces konsultimi.
Ministri Blendi Gonxhja hodhi poshtë akuzat, duke thënë se projekti synon rikualifikimin urban të zonës arkeologjike A në Durrës dhe integrimin e amfiteatrit antik në një park të madh arkeologjik. Sipas tij, procesi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin.
“TID Durrës synon restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës. Çdo familje e përfshirë në shpronësim do të dëmshpërblehet sipas vlerës së tregut. Asnjë objekt historik nuk do të humbasë,” u shpreh ministri Gonxhja.
Ai shtoi se projekti është hartuar nga një ekip italo-shqiptar ekspertësh dhe se fondet për restaurimin dhe ndërhyrjet arkitektonike kapin mbi 11 milionë dollarë nga AADF, buxheti i shtetit dhe donatorë të tjerë.
Gonxhja theksoi se Bashkia e Durrësit ka kryer matje reale të pronave për të saktësuar titujt e pronësisë dhe se Gjykata Administrative ka rrëzuar të gjitha paditë kundër VKM-së së shpronësimit, duke i hapur rrugë vazhdimit të projektit.
Në përfundim, dy palët mbetën në qëndrime të kundërta. Zhupa paralajmëroi se projekti “shkatërron trashëgiminë e qytetit”, ndërsa Gonxhja këmbënguli se ai “i jep Durrësit një identitet të ri turistik dhe kulturor”.