Vendosni fjalën kyçe....

Përshkallëzohet konflikti Tajlandë–Kamboxhia para bisedës me Trump



Përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias pranë kufirit të kontestuar kanë vijuar me intensitet edhe këtë javë, teksa pritet një telefonatë ndërmjet presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe liderëve të të dy vendeve, përcjell DW.

Deri më tani, të paktën 19 persona – ushtarë dhe civilë – kanë humbur jetën, ndërsa qindra mijëra banorë nga të dyja anët e kufirit janë zhvendosur.

Kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul, deklaroi se gjatë bisedës së pritshme me Trump-in do të “shpjegojë dhe sqarojë” situatën në terren. “Ai duhet t’i dëgjojë detajet direkt nga unë, nëse më kontakton,” tha Charnvirakul, duke shtuar se ministri i Jashtëm tashmë po jep informacion në nivel diplomatik.

Kjo është përplasja më e rëndë mes dy vendeve që prej korrikut, kur një luftë pesëditore përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Trump dhe kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim.