
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një bashkëbisedim në Himarë me operatorë turistikë, fermerë dhe përfaqësues të biznesit lokal, në praninë e kryetarit të bashkisë, Vangjel Tavo.
Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të zonës, ku ministri Salla theksoi se Himara është një nga pasuritë natyrore më të çmuara të vendit, me potencial të jashtëzakonshëm si në turizëm ashtu edhe në bujqësi.
Ministri Salla nënvizoi se lidhja mes këtyre dy sektorëve është thelbësore.
“Turizmi i qëndrueshëm ndërtohet mbi produktet lokale dhe bashkëpunimin e ngushtë mes fermerëve, komunitetit dhe biznesit”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se në strategjinë “Bujqësia 2030” prioritet mbetet forcimi i prodhimit vendas, rritja e sigurisë ushqimore, adoptimi i teknologjisë së gjelbër dhe zhvillimi i zonave rurale në mbështetje të ekonomisë lokale.
Për Himarën, kjo strategji përkthehet në mbështetje për fermerët e vegjël, promovim të produkteve autentike të zonës, nxitje të agroturizmit dhe diversifikimit të aktiviteteve rurale, si dhe investime në ujitje dhe infrastrukturë bujqësore.
Ministri shtoi se sfida për vitin 2026 është “kthimi i këtyre mësimeve dhe përvojave në politika konkrete që i shërbejnë komunitetit dhe ekonomisë lokale”.
Ministri Salla shprehu bindjen se Himara, me potencialin e saj të jashtëzakonshëm dhe me vizionin që po ndërtohet bashkë me aktorët lokalë, do të vazhdojë të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm në vend.