Vendosni fjalën kyçe....

KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK, në garë 4 kandidatë


Më 18 dhjetor, Altin Dumani përfundon mandatin 3-vjeçar në krye të Prokurorisë së Posaçme, periudhë gjatë së cilës SPAK vendosi nën hetim figura të larta politike dhe grupe të rrezikshme kriminale.

Për drejtimin e institucionit garojnë katër prokurorë të SPAK, Elvin Gogaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho, me Musabelliun që bëhet e para grua kandidate për këtë post.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet sot në orën 09:00 për të dëgjuar platformat e kandidatëve dhe për të votuar drejtuesin e ri, në një seancë të hapur për mediat dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare.

Një ditë para mbledhjes, SHBA vlerësoi punën e Altin Dumanit pas një takimi me zyrtarin e DASH, Lyn Debevoise, duke e cilësuar kontributin e tij të rëndësishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ndërkohë, delegacioni i BE në Tiranë dhe ambasada britanike kërkuan që gara të zhvillohet me transparencë dhe integritet, duke theksuar nevojën për një drejtues të pavarur, profesionist dhe në përputhje me standardet e BE-së.

Altin Dumani është zgjedhur në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi.
Por kush janë kandidatët?

Adnan Xholi është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar. 

Klodian Braho, i emëruar prokuror në vitin  2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Elvin Gokaj ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë. Ndër çështjet e hetuara dhe të dërguara në gjyq prej tij, është dosja “Buka” ku është marrë i pandehur ish-ministri i Ekonomisë dhe infrastrukturës Arben Ahmetaj.

Ndërsa Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime  ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor.