Vendosni fjalën kyçe....

KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK


Më 18 dhjetor, Altin Dumani përfundon mandatin 3-vjeçar në krye të Prokurorisë së Posaçme, periudhë gjatë së cilës SPAK vendosi nën hetim figura të larta politike dhe grupe të rrezikshme kriminale.

Për drejtimin e institucionit garojnë katër prokurorë të SPAK, Elvin Gogaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho, me Musabelliun që bëhet e para grua kandidate për këtë post.

Të ulur përballë kandidatëve të SPAK në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë dhe ndërkombëtarët, të cilët po ndjekin nga afër përzgjedhjen e pasuesit të Altin Dumanit.

Të ulur krah njëri-tjetrit qëndrojnë e dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i delegacionit të BE, Silvio Gonzato si edhe ambsadori britanik Nicholas Abbott.

Ashtu siç ishte planifikuar, në orën 09.00 nisi seanca dëgjimore me secilin prej tyre.

Sipas rendit alfabetik të intervistave, seanca dëgjimore ka nisur me prokurorin e SPAK, Adnan Xholi, i cili gjatë prezantimit të tij ka përmbledhur eksperiencat dhe kualifikimet që e bëjnë sipas tij të përshtatshëm për këtë pozicion të rëndësishëm. 

Kandidati Adnan Xholi prezantoi para KLP platformën e tij për drejtimin e SPAK. Xholi shprehu vlerësimin për rezultatet që kanë arritur prokurorët e SPAK, duke theksuar se do të çojë para luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai theksoi se është e rëndësishme mbrojtja dhe integriteti i pavarësisë së SPAK, por edhe mbrojtja e prokurorëve nga sulmet e padrejta që u bëhen, duke shtuar se ata janë si familja e tij.

“E ndjeva privilegjin të aplikoja për shkak se vlerësoj se nga ana formale plotësoj kriteret që përcakton KLP për ngritjen në detyrë, me besimin se kam aftësitë e duhura profesionale për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi.

SOAK ndodhet në fazë konsolidimi implementimi i strategjive të institucionit lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po aq e rëndësishme është dhe mbrojtja dhe integriteti dhe i pavarësisë së institucionit, mbrojta nga sulmet e padrejta që u bëhen magjistratëve dhe prokurorëve.

Shpreh vlerësimet maksimale ndaj trupë së SPAK, për rezultatet që kanë arritur pasi secili prej tyre është kandidat potencial për ta drejtuar atë strukturë.

Kanë arritur rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit, krenar që punoj me ata dhe do ti mbështes në çdo situatë pavarësisht votimit të sotëm.

Ata janë familje ime në sistemin e drejtësisë, më tepër qëndrojmë me ta se me familjen biologjike, ka ardhur koha që të vijohet me hetime në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetime penale dhe pasurore me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe promovimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët.”

Prokurori i SPAK, Adnan Xholi, prezantoi para KLP karrierën e tij 28-vjeçare dhe disa nga çështjet më komplekse që ka drejtuar, duke përfshirë shkatërrimin e grupeve kriminale të armatosura, rrëmbimet e biznesmenëve në Gjirokastër dhe masakrat e Cërrikut dhe Qafë Gjashtës.

Ai theksoi: “Gjatë karrierës sime kam përfaqësuar gamë të gjerë çështjes sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar… është bërë e mundur të jemi sa më aktiv dhe të jepnim aq sa mundeshim në drejtësi duke identifikuar dhe çuar para drejtësisë autorët.”

Xholi nënvizoi gjithashtu se, përkundër presioneve nga grupet kriminale dhe familjarët e viktimave, ka arritur të zbardhë dhe të ndëshkojë përgjegjësit.

Prokurori i SPAK, Adnan Xholi u pyet nga anëtarët e KLP për të dhënë një vlerësim për Arben Krajën që ka drejtuar më parë SPAK dhe kryeprokurorin aktual Altin Dumanin.  

“Tek Kraja vlerësoj pjekurinë dhe eksperiencën disa vjeçare që ka patur në hetim. Te Dumani do vlerësoj përkushtimin dhe rolin e tij luftarak në hetim, nuk tërhiqet përballë asnjë lloj presioni”, tha Xholi.

Xholi tha se do jetë promotor i mbrojtjes së pavarësisë së prokurorëve dhe sulmeve të padrejta ndaj tyre. “Do jem promotor i mbrojtjes së pavarësisë së prokurorëve, sulmeve të padrejtave që u bëhen prokurorëve për shkak të punës.” 

Gjithashtu ai u shpreh se SPAK është strukturë elitë dhe se ai do marrë përsipër vetëm dështimet duke theksuar se suksesi u takon të gjithë prokurorëve dhe hetuesve.“Mesazhi që kam për opinioni publik ka të bëjë me dëgjimin e çdo lloj kërkese, ankesa, dhënia përgjigje me shkresë apo vendim, pavarësisht nëse u pëlqen vendimmarrja.

Standardi që është arritur tani e kanë arritur prokurorët dhe hetuesit, jo drejtuesit.

Unë do marr përsipër vetëm dështimet, suksesi i takon të tjerëve, standardi që është arritur deri më tani as nuk mund të mendohet që mund të ulet, por të jetë sa më lart.

Të jetë strukturë elitë, e besueshme, si për publikun edhe për partnerët ndërkombëtarë.”

 E dyta sipas rendit alfabetik Doloreza Musabelliu prezantoi para anëtarëve të KLP platformën dhe vizionin e saj për drejtimin e SPAK në 3 vitet e ardhshme. Musabelliu, e para grua që kandidon për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, tha se kërkon të kontribuoj me integritet, vizon dhe vendosmëri në drejtim e SPAK.

“Dua të kontribuoj me integritet, vizon dhe vendosmëri në drejtim e SPAK. Përvoja gjatë 2 dekadave bashkë me kurajën, etikën përbën garanci për drejtimin e institucionit. Institucioni futet në një periudhë konsolidimi, ku roli i SPAK mbetet thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me këtë kandidm synoj të ofroj drejtim të pavarur, të orientuar drejt rezultateve konkrete që përfaqësojnë parimet më të larta të shtetit të së drejtës.”

Kandidatja për kreun e SPAK, Doloreza Musabelliu, prezantoi para KLP disa nga çështjet më të ndjeshme që ka ndjekur si prokurore. 

“Kam pasur çështje të trafikut të narkotikëve prej 2004-ës. Mund të përmend një çështje të vitit 2005. Ka qenë çështje senisitive, një çështje tjetër e 2015 për herë të parë u evidentua rasti i trafikut ajror të lëndëve narkotike, u dërguan për gjykim 7 persona dh enjë oficer policie gjyqësore që u dënuan me vendim të formës së prerë.

Janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në rastin e trafikut të narkotikëve. Këto hetime të karakterit ndërkombëtar, kanë forcuar aftësinë time për të menaxhuar çështje komplekse dhe për të arritur rezultate konkrete.

Lufta kundër trafikut është bërë prioritet global dhe kërkon qase të avancuara hetimore, të cilat kamë pasur mundësinë ti aplikoj që në nisje të karrierës sime.

Kam patur në hetim çështje vrasjes, për motive familjare, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës vrasje për hakmarrje, në rrethana të tjera cilësuese apo gjakmarrje.

Vrasje ndaj një funksionari të forcave operacionale të drejtësisë etj. Pas vitit 2014 dhe ndryshimeve ligjore, kam pasur mundësinë të hetoj çështje të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë. Asnjë funksionar publik nuk qëndron mbi ligjin.”

Doloreza Musabelliu deklaroi se ka hetuar çështje të rëndësishme, përfshirë vrasje me paramendim për hakmarrje dhe krime të kryera nga struktura kriminale.

“Kam hetuar një sërë çështjes në SPAK, ku ndër më të spikaturat vrasje me paramendim për hakmarrje dhe vrasje në rrethana cilësuese të kryera në kuadër të grupit të struktura kriminal.

Në dy çështje janë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me bashkëpunëtorë, kanë qenë armë për zbardhjen e ngjarjeve. Rasti i parë që ka shkuar për gjykim organizatë kriminale dhe janë sekuestruar kriptomonedha digjitale 10 mln dollarë, kishim problematikë sepse nuk kishim ku ti ruanim për shkak se na mungon portofoli dixhital”, tha Musabelliu.

Doloreza Musabelliu, e cila kandidon për drejtimin e SPAK, tha në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë se sfidat e një drejtuesi lidhen me vendimmarrjen, vizionin dhe aftësinë për të përballuar presionet, dhe jo me gjininë.

“Mendoj që një drejtues i SPAK duhet të ketë disa cilësi që janë aftësi për vendimmarrjes të shpejtë, për të drejtuar me vizion, për të siguruar ambient efikas, aftësi për ti bërë ballë presioneve, i brendshëm i jashtëm, nuk shoh që ndonjëra prej tyre të lidhet me gjininë”, tha ajo.