Vendosni fjalën kyçe....

U zgjodh kreu i ri i SPAK, prioritetet që Klodian Braho prezantoi para anëtarëve të KLP


Prokurori Klodian Braho është zgjedhur drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke marrë 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ai do të pasojë në këtë detyrë Altin Dumanin dhe do të nisë mandatin 3-vjeçar më 19 dhjetor.

Para shpalljes së rezultatit, Braho paraqiti para KLP-së pikat kryesore të platformës së tij, duke theksuar se drejtimi i SPAK do të fokusohet në forcimin institucional dhe në mbrojtjen e pavarësisë së prokurorëve të posaçëm.

Ai bëri të ditur se do të vijojë zbatimin e strategjive aktuale të institucionit dhe do të punojë për garantimin e barazisë para ligjit në çdo procedim penal.

“Do të marr masat për ndjekjen e strategjive aktuale. Garantoj zbatimin e parimit të barazisë dhe do të kryej veprimet e nevojshme për të mbrojtur pavarësinë e prokurorëve të posaçëm. Vendimet e prokurorëve nuk janë personale, por qëndrime të institucionit,” deklaroi Braho.

Ai shtoi se, në rastet kur prokurorët do të kenë ngarkesë të lartë pune, do të krijohen grupe hetimore për të garantuar efikasitet. Po ashtu, propozoi ngritjen e një sektori të posaçëm për analizën e informacionit, i cili do të harmonizohet me modele të ngjashme në vende të tjera.

Me votimin e sotëm, Braho merr drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, në një periudhë me hetime të ndjeshme dhe pritshmëri të larta publike.