Vendosni fjalën kyçe....

FDA-ja në SHBA do shqyrtojë nëse vdekjet në grupmosha të ndryshme lidhen me vaksinën Covid-19


Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) po shqyrton nëse vdekjet në grupmosha të ndryshme mund të kenë lidhje me vaksinat kundër Covid-19, bëri të ditur të martën një zëdhënës i institucionit. Ky zhvillim vjen disa javë pasi një zyrtar i lartë i FDA-së pretendoi se vaksinimet kundër Covid-19 kishin çuar në vdekjen e dhjetë fëmijëve.

Andrew Nixon, zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë, tha se agjencia po kryen një “hetim të plotë”, pa dhënë hollësi mbi burimet e të dhënave që po analizohen apo mbi ndonjë ndryshim të mundshëm që mund të shqyrtohet lidhur me autorizimin ose tregtimin e vaksinave.

Dr. Vinay Prasad, shef mjekësor dhe shkencor i FDA-së dhe drejtues i Qendrës për Vlerësim dhe Kërkim Biologjik, deklaroi në një memorandum muajin e kaluar se “fëmijët e shëndetshëm, me rrezik jashtëzakonisht të ulët nga vdekja, u detyruan nga administrata Biden, të bëjnë një vaksinë që mund të çojë në vdekje.”

Ai përmendi një “analizë fillestare” të 96 vdekjeve, duke pretenduar se 10 prej tyre ishin të lidhura me vaksinimin kundër Covid-19, por nuk dha hollësi të mëtejshme. Prasad po ashtu tha se Covid-19 “nuk ishte kurrë veçanërisht vdekjeprurës për fëmijët” dhe se rreziku ishte “i krahasueshëm” me viruset e tjera respiratore për të cilat nuk ekzistojnë vaksina vjetore.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 700 milionë doza të vaksinave kundër Covid-19 janë administruar në Shtetet e Bashkuara që nga fundi i vitit 2020.

Rregullat e FDA-së kërkojnë që profesionistët e shëndetësisë të raportojnë vdekjet pas vaksinimit në sistemin VAERS, edhe kur nuk ka prova se vaksina ishte shkaktare. Edhe publiku i gjerë mund të paraqesë raportime në këtë databazë, e cila shërben për të identifikuar sinjale që mund të nxisin studime të mëtejshme.

Prasad tha se rezultatet paraprake të analizës do çojnë në një proces të ri miratimi për vaksinat, i cili do të kërkojë më shumë prova për sigurinë dhe efektivitetin përpara autorizimit të tregtimit. Ndryshimet e propozuara përfshijnë kritere më të rrepta për vaksinat e destinuara për gratë shtatzëna dhe kërkesa për vaksinat kundër pneumonisë që të tregonë uljen e sëmundshmërisë, jo vetëm prodhimin e antitrupave.

Ai njoftoi gjithashtu se agjencia do rishikojë “kornizën vjetore të vaksinave të gripit” dhe se etiketat e vaksinave do përditësohen për të pasqyruar një vlerësim “më të ndershëm” të sigurisë.

Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., ka shprehur prej kohësh skepticizëm për efektivitetin e vaksinave dhe më parë ka themeluar grupin anti-vaksinë “Children’s Health Defense”.

Në rolin e tij aktual, Kennedy ka ulur fondet për zhvillimin e vaksinave mRNA, ka zëvendësuar anëtarët e komitetit këshillues të vaksinave në CDC dhe i ka kërkuar agjencisë të modifikojë faqen e saj zyrtare për të përfshirë pretendime që lidhin vaksinat me autizmin, shkruan CNN.