Vendosni fjalën kyçe....

Operacion policor në Durrës, arrestohet një 42-vjeçar – sekuestrohen drogë, armë, bizhuteri dhe 29 mijë euro



Policia e Durrësit ka finalizuar një tjetër operacion të koduar “Full Scan”, i zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore, me fokus parandalimin e futjes së lëndëve narkotike, armëve dhe vlerave monetare të padeklaruara.

Operacioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, duke çuar në ndalimin dhe kontrollin e një autobusi që drejtohej nga shtetasi D. F., 42 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të mjetit, në çantën marsup iu gjet një sasi prej 92 gramësh kokainë dhe disa bizhuteri të dyshuara floriri.

Në brendësi të autobusit, në një çantë shpine, shërbimet e Policisë zbuluan gjithashtu:

  • 29 000 euro të padeklaruara,

  • një armë zjarri pistoletë,

  • pesë krehra.

Të gjitha u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.

Pas veprimeve të para hetimore, 42-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe po hetohet për një sërë veprash penale, përfshirë:

  • “Trafikim i lëndëve narkotike”,

  • “Trafikim i armëve dhe i municionit”,

  • “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”,

  • “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë”,

  • “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”,

  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale”,

  • “Fshehja e të ardhurave”.

Në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, policia po vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.