
Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja për konstituimin e Grupit Parlamentar Vullnetar “Miqtë e Fëmijëve”, një nga mekanizmat më aktivë të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe forcimin e rolit mbikëqyrës të parlamentit në këtë fushë.
Në takim morën pjesë deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, përfaqësues të UNICEF-it, të kryesuar nga Murat Sahin, si dhe të rinj nga Bordi Këshillimor i Adoleshentëve të UNICEF Albania.
Kryetari i Kuvendit, në cilësinë e drejtuesit të këtij grupi, theksoi se konstituimi i Grupit “Miqtë e Fëmijëve” nuk është thjesht një procedurë formale, por një angazhim institucional i fortë për ta vendosur mirëqenien e fëmijëve në qendër të ligjbërjes dhe politikëbërjes.
Ai nënvizoi se, çdo vendim që merret në Kuvend ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi fëmijët dhe se Kuvendi ka përgjegjësinë të miratojë ligje, të ushtrojë kontroll parlamentar efektiv dhe të sigurojë prioritete buxhetore që mbështesin realisht të drejtat e tyre.
Peleshi u ndal edhe te sfidat e reja me të cilat përballen fëmijët sot, duke përmendur teknologjinë, kanalet e reja të komunikimit dhe rreziqet prej zhvillimeve të shpejta digjitale.
Ai theksoi se përballimi i këtyre sfidave kërkon dialog, konsensus dhe standarde të matshme, veçanërisht në fusha si parandalimi i dhunës, aksesi i barabartë në arsim e shërbime si dhe mbrojtje në mjedisin digjital.
Në mbledhje u prezantuan edhe tre nënkryetaret e reja të Grupit, Bora Muzhaqi, Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho, të cilat do të bashkëdrejtojnë veprimtarinë dhe nismat e Grupit.
Pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë me UNICEF-in dhe rolin e tij, si partner kyç në mbështetjen e nismave parlamentare për fëmijët.
Kuvendi riafirmoi angazhimin për ta bërë Grupin “Miqtë e Fëmijëve” një instrument të qëndrueshëm, aktiv dhe funksional në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, duke u bërë një “sy i kujdesshëm” dhe një zë i vazhdueshëm për brezin e ardhshëm.