
Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, akuzoi qeverinë se nuk ka pasur kurrë një strategji të qartë për menaxhimin e çështjeve të diasporës.
Gjatë diskutimit të projektligjit me ndryshime për diasporën, Zhupa tha se institucionet përgjegjëse janë ndryshuar vazhdimisht dhe se kjo tregon, sipas saj, mungesën e seriozitetit nga ana e qeverisë.
Ajo theksoi se qeveria kujtohet për diasporën vetëm në periudha zgjedhore:
“Kam shqetësim më të thellë për mënyrën sesi qeveria ‘Rama’ ka trajtuar diasporën. Sa herë ka pasur situatë zgjedhore, ka ndryshuar sistemi se kush do të merret me diasporën – tha Zhupa, duke shtuar se: Në 2013-2017 u shpërbë Drejtoria e Diasporës në Ministrinë e Jashtme, u krijua Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe pastaj u shkri. U krijua ministri i Shtetit për Diasporën dhe më pas u shpërbë. U rikthye në varësinë e ministrisë një drejtori. As ChatGPT nuk e gjen dot kush e ka kompetencën.“
Zhupa akuzoi qeverinë se ka politizuar institucionet e diasporës dhe se i ka përdorur takimet me shqiptarët jashtë vendit vetëm për qëllime elektorale:
“Të vetmet takime me diasporën kanë qenë ato kur ju përdorët shtetin, ambasadat, me ambasadorët në rresht të parë, ku shkonit si qeveri e flisnit si parti për të kërkuar vota për Partinë Socialiste .Ky ligj ka politizuar të gjitha institucionet e diasporës, ka kaluar nga përcaktuese në sugjeruese Këshillin Koordinues dhe ka forcuar rolin e ambasadorëve, që sot janë ish-deputetë, ish-kryetarë bashkie ose analistë që ju u gjeni vend pune.“– u shpreh ajo.