
Shtetet e Bashkuara do t’i lejojnë gjigantit të çipeve Nvidia të eksportojë çipet e tij të avancuara të inteligjencës artificiale në Kinë, njoftoi të hënën presidenti amerikan Donald Trump, pasi arriti një marrëveshje me presidentin kinez Xi Jinping, përcjell DW.
Nvidia, aktualisht kompania më e madhe amerikane për nga vlera e tregut, është rritur me shpejtësi falë bumit të AI. Vendimi shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane të eksporteve të teknologjisë, pasi administrata e mëparshme Biden kishte vendosur kufizime të forta për shitjen e çipeve të avancuara drejt Kinës, për shkak të përdorimit të tyre të mundshëm nga ushtria kineze.
Trump e bëri njoftimin në platformën Truth Social, duke thënë se i kishte bërë me dije Xi-së se Uashingtoni do të lejonte eksportin e çipeve H200 drejt “klientëve të miratuar” në Kinë dhe vende të tjera, “nën kushte që sigurojnë vazhdimin e një sigurie kombëtare të fortë”.
Sipas tij, Xi ka reaguar pozitivisht. “25% do t’i paguhet Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai, duke shtuar se kjo tarifë do të sillte përfitime për taksapaguesit amerikanë, do të rriste punësimin dhe do të forconte prodhimin amerikan.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se tarifa 25% do të jetë taksë importi nga Tajvani, ku prodhohen çipet. Ato do të hyjnë fillimisht në SHBA për një kontroll sigurie, përpara se të eksportohen në Kinë.
Trump theksoi se SHBA do të ruajë avantazhin e saj në garën e inteligjencës artificiale, pasi klientët amerikanë tashmë po kalojnë tek çipet shumë më të avancuara Blackwell, dhe më pas tek gjenerata tjetër Rubin — “asnjë prej të cilave nuk përfshihet në këtë marrëveshje”.
Nvidia e përshëndeti vendimin, duke thënë se ofrimi i H200 për klientë të miratuar nga Departamenti i Tregtisë “vendos një ekuilibër të arsyeshëm që është i dobishëm për Amerikën”. CEO i kompanisë, Jensen Huang, ka lobuar prej kohësh për lehtësimin e kufizimeve të epokës Biden.
Trump shtoi se Departamenti i Tregtisë po finalizon detajet dhe se “i njëjti regjim do të zbatohet edhe për AMD, Intel dhe kompani të tjera të mëdha amerikane”.
Shumë senatorë demokratë e kritikuan ashpër marrëveshjen, duke e quajtur “një dështim kolosal ekonomik dhe të sigurisë kombëtare”.
Sipas tyre, aksesimi i këtyre çipeve mund t’i japë ushtrisë kineze “teknologji transformuese” për armë më vdekjeprurëse dhe sulme kibernetike më efektive kundër bizneseve dhe infrastrukturës amerikane, si edhe një shtysë të re për ekonominë dhe prodhimin kinez.
Ata përmendën edhe deklaratën e fundit të kompanisë kineze të AI, DeepSeek, e cila pranoi se mungesa e çipeve të avancuara amerikane ishte pengesa kryesore për të konkurruar me OpenAI, Google, Microsoft dhe Perplexity.
Nga ana tjetër, eksperti Alex Stapp nga Institute for Progress e quajti politikën “një autogol masiv”, duke theksuar se H200 është “gjashtë herë më i fuqishëm se H20”, çipi më i avancuar që deri tani lejohej të eksportohej.
Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi senatorja demokrate Elizabeth Warren aludoi për një marrëveshje të fshehtë midis Trump dhe Huang, në këmbim të një donacioni për ndërtimin e një salloni të ri në krahun lindor të Shtëpisë së Bardhë.
Kina aktualisht nuk lejon përdorimin e teknologjive amerikane nga kompanitë e saj, duke ngritur pikëpyetje nëse vendimi i Trump do ta shtyjë Pekinin të ndryshojë kurs.
“Kompanitë kineze i duan çipet H200, por shteti kinez udhiqet nga paranoja dhe krenaria — paranoja për ‘backdoor’-et dhe varësinë nga SHBA, dhe krenaria për shtyrjen përpara të alternativave vendore,” tha Craig Singleton, studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
“Shtetet e Bashkuara mund t’i miratojnë çipet, por Pekini duhet ende të vendosë nëse do t’i lejojë ato të hyjnë”, shtoi ai.