Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon sërish: Magjistratët kërkojnë rritje rroge me 3100 euro, rrezikohen balancat e pushteteve


Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të martë, vetëm pak orë pas njoftimit për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke komentuar debatet për pagat e magjistratëve, përfshirë gjyqtarët e GJKKO-së dhe prokurorët e SPAK-ut.

Rama iu përgjigj, siç thotë ai, qytetarëve që “habiten” me faktin se gjyqtarët dhe prokurorët po kërkojnë rritje pagash me 1600 euro mbi pagën aktuale.

Ai shpjegon se kjo shumë i përket magjistratëve të zakonshëm, ndërsa për magjistratët e posaçëm kërkesa është edhe më e lartë.

“1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh”, shkruan Rama.

Sipas tij, prokurorët e posaçëm dhe gjyqtarët e GJKKO-së, që aktualisht marrin 6,130 euro në muaj, po kërkojnë t’u shkojnë pagat në 9,230 euro.

 Kryeministri e quan të tepruar këtë kërkesë dhe e lidhi me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili çoi në pezullimin e Ballukut.

“Si ka mundësi?! Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde”, thekson Rama.

Ai shton se shqetësimi i tij nuk lidhet me një ministër të vetëm, por me atë që e cilëson si “rrezikun real të përmbysjes së balancave demokratike mes pushteteve”.

Reagimi i kryeministrit vjen ndërsa tensionet mes qeverisë dhe drejtësisë janë rritur ndjeshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe debatit për rritjen e pagave të magjistratëve.