Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Prania e Salianjit në Foltore nuk përbën lajm, askush s’ka dalë nga radhët e PD-së


Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se prania e Ervin Salianjit në foltoren e opozitës para Kryeministrisë nuk përbën asnjë lajm, pasi ai ka marrë pjesë rregullisht në aktivitetet e tilla të PD-së.

Duke folur në News24, Këlliçi theksoi se brenda PD-së nuk ka asnjë largim dhe se debatet e brendshme janë pjesë normale e jetës së një partie politike.

“Si mund të kem një koment, ku Salianji merr pjesë në një foltore të opozitës, kur merr pjesë gjithmonë? Është foltore, pasi opozita nuk ka zërin e duhur në Kuvend për të ngritur çështjet që shqetësojnë qytetarët. Është foltore revolte. Nuk përbën lajm që një anëtar i PD merr pjesë, është normale pjesëmarrja,” tha ai.

Këlliçi shtoi se nuk ka asnjë fakt që dikush të ketë dalë nga radhët e PD-së.

“S’di të ketë dalë askush nga radhët e PD-së! S’kam parë asgjë të jashtëzakonshme në këto takime dhe nuk ka asgjë jashtë turrës së demokratëve.”

Ai nënvizoi rëndësinë e debateve të brendshme dhe theksoi se PD-ja ka trajtuar me kohë të gjitha çështjet e saj të brendshme, ndërsa vëmendja duhet të jetë te problematikat e qeverisjes.

“Për mua lajmimi apo incentivimi i mendimit ndryshe në PD ka rëndësi, këtu mbaron çështja. Dua të flasim për vjedhjet e Ballukut, apo reagimet dhe kritikat e Braçes. Është gjë e mirë që në PS ka nisur një debat i tillë. Çështjet e brendshme në PD i kemi diskutuar brenda 4 vitesh,” u shpreh deputeti.