Vendosni fjalën kyçe....

Katër të vdekur dhe një i zhdukur në Tenerife të Spanjës, pasi një valë e fuqishme mori me vete notarët



Në ishullin spanjoll të Tenerife-s katër persona humbën jetën dhe një tjetër rezulton i zhdukur, pasi një valë e fuqishme i tërhoqi notarët nga një pishinë me ujë deti përgjatë bregdetit shkëmbor perëndimor, njoftuan autoritetet spanjolle të hënën për Guardian.

Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e tre viktimave të dielën — një burri 35-vjeçar, një gruaje 55-vjeçare dhe një burri tjetër për të cilin nuk u dhanë detaje — gjatë një operacioni masiv shpëtimi, ku u përdorën motoçikleta uji dhe helikopterë për të kërkuar personat e tërhequr në det. Viktima e katërt, një grua, ndërroi jetë të hënën, një ditë pasi u rikthye në jetë në vendngjarje dhe u transportua me helikopter në spital.

Dy prej viktimave ishin rumune dhe dy sllovake, konfirmuan qeveritë respektive. Nuk janë dhënë të tjera informacione mbi identitetin e tyre.

Pishina natyrore në Isla Cangrejo, në zonën Los Gigantes të Tenerife-s, është shumë e njohur mes turistëve të huaj. Ajo ndodhet pranë nivelit të detit, e rrethuar nga shkëmbinj vullkanikë në njërën anë dhe e mbrojtur nga një mur betoni në tjetrën. Gjatë deteve të trazuara, valët e mëdha e kapërcejnë lehtësisht barrierën dhe e kthejnë pishinën në një vend shumë të rrezikshëm.

Sipas mediave vendase, në momentin e incidentit ishte në fuqi një paralajmërim për mot të keq dhe dallgëzim të fortë. Raportime të tjera thanë se pishina ishte e mbyllur për notarët që nga 3 dhjetori.

Banorët lokalë thanë se shumë njerëz kishin injoruar shenjat paralajmëruese dhe gardhin mbrojtës të vendosur në zonë për shkak të kushteve të rrezikshme të detit. Ata shtuan se personat që tërhiqen në det e kanë pothuajse të pamundur të ngjiten mbrapsht për shkak të shkëmbinjve të rrëshqitshëm poshtë pishinës.

“Një pjesë e njerëzve nuk e njohin detin këtu dhe rrezikun e pishinës, sepse ka shkëmbinj poshtë ku njerëzit bien dhe nuk arrijnë të ngjiten. Është shumë e rrezikshme”, tha një banor, që nuk pranoi të identifikohej.

Kryebashkiaku i Santiago del Tiede, Emilio Navarro, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe tha se ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për notarën që ende rezulton e zhdukur.

Ai theksoi se autoritetet ndërmarrin masa për të paralajmëruar pushuesit dhe për t’i dekurajuar ata të përdorin pishinën gjatë deteve të trazuara. “Ne u bëjmë thirrje njerëzve t’u kushtojnë vëmendje shenjave dhe njoftimeve të vendosura nga autoritetet. Ato janë për mbrojtjen e të gjithëve,” tha ai.

Në nëntor, valët e forta në Tenerife shkaktuan tre të vdekur dhe 15 të plagosur, pasi njerëzit u tërhoqën nga një valë e papritur drejt Oqeanit Atlantik.