
Joni Keta është zgjedhur sot kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me 11 vota pro nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Kandidati ishte propozuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe do të drejtojë strukturën për një mandat 5-vjeçar.
Keta, i cili më parë mbante postin e zëvendësdrejtorit të BKH-së, u shpall fitues pas një procesi të gjatë për zgjedhjen e kreut të kësaj strukture. Në garë për drejtimin e Byrosë ishin 7 kandidatë, duke përfshirë zyrtarë të lartë të policisë dhe prokurorë.
Struktura e BKH-së, shpesh quajtur edhe “FBI-ja shqiptare”, ndihmon SPAK-un në hetime të nivelit të lartë dhe operacione të ndërlikuara penale.
Më parë këtë detyrë e mbante Aida Hajnaj, ndërsa procesi i zgjedhjes së kreut të ri u monitorua nga partnerët ndërkombëtarë, përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian.