Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Tiranës dënon me 16 vite burg Mario Përlleshajn për vrasjen e Martin Canit


Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg Mario Përlleshajn, i akuzuar për vrasjen e 15-vjeçarit Martin Cani dhe plagosjen e një nxënësi tjetër.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Fan S. Noli” në Tiranë dhe tronditi opinionin publik, pasi të dy, autori dhe viktima, ishin bashkëmoshatarë dhe nxënës të së njëjtës shkollë.

Pas shpalljes së vendimit, avokati i familjes Cani deklaroi se drejtësia është vënë në vend, duke theksuar nevojën që institucionet arsimore dhe shtetërore të forcojnë mekanizmat e mbrojtjes për të miturit.

“Ne mendojmë se nuk është çështje dënimi, por drejtësie, çështje për të mbrojtur dy të mitur dhe shumë prej tyre. Ky duhet të jetë mesazh për qeverinë shqiptare dhe institucionet arsimore, që edukojnë rininë shqiptare. Ne do të ndjekim më tej çdo të drejtë ligjore të familjes Cani. Sot kemi drejtësi dhe gjykatat shqiptare përpiqen t’i trajtojnë me seriozitet çështje kaq të ndjeshme. Do ta vlerësojmë vendimin kur të zbardhet i plotë,” u shpreh avokati.

Sipas hetimeve, tre ditë para ngjarjes ishte verifikuar një konflikt mes dy të miturve brenda shkollës, i cili, sipas familjarëve, u nënvlerësua dhe nuk u raportua tek drejtoria apo prindërit.

Të hënën, ditën kur ndodhi vrasja, të dy nxënësit ishin takuar pas mësimit në një rrugicë pranë shkollës, ku nisën sërish të konfliktoheshin. Përplasja përfundoi me humbjen e jetës së Martinit dhe plagosjen e një shoku të tij.

Pas ngjarjes, autori u largua duke hedhur çantën në një ndërtesë të braktisur. Mjeti prerës u gjet disa ditë më vonë nga policia dhe ekspertiza konfirmoi se ishte përdorur në ngjarje.

Familja Cani ka paralajmëruar apelimin e vendimit në instancat më të larta gjyqësore.