Vendosni fjalën kyçe....

Depozitimet e parave në ATM janë dyfishuar këtë vit



Depozitimet e parave në bankomate u rritën përsëri në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, përdoruesit e sektorit bankar kryen rreth 663 mijë depozitime automatike në ATM, në rritje me 151% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për të gjithë 9-mujorin 2025 numri total i depozitimeve ka arritur në 1.47 milionë. Shifrat e 9-mujorit tregojnë gjithashtu rritje me përmasa të mëdha dhe numri i depozitimeve është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e transaksioneve është në nivele të ngjashme edhe në vlerë. Në fund të 9-mujorit, depozitimet cash në ATM kishin vlerën e 70.7 miliardë lekëve, 94% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Numri dhe vlera e transaksioneve të depozitimit në terminalet ATM është në rritje për të shtatin vit radhazi. Rritja po mbështetet edhe nga zgjerimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së pajisjeve që mundësojnë këtë lloj shërbimi.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të 9-mujorit 2025 arriti në 427, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Afërsisht 32% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.

Shqipëria është ende një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash në shitjen e mallrave dhe shërbimeve. Përdorimi i lartë i parasë fizike krijon si rrjedhojë edhe nevojën e depozitimeve periodike të parasë në llogaritë bankare, përcjell Monitor.

Bankat gradualisht po investojnë në automatizimin e këtij shërbimi, me qëllim pakësimin e fluksit të klientëve në arka, uljen e kostove operacionale dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm.

Në fund të muajit shtator, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 1028 ATM-ve aktive, në rritje me 30% krahasuar me një vit më parë.

Numri i ATM-ve pati rënë vazhdimisht në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe për shkak të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare. Megjithatë, pas vitit 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele.

Një faktor tjetër që po nxit shtimin e numrit të ATM-ve në vitet e fundit është edhe turizmi. Shtimi i fluksit të turistëve ka bërë të nevojshme shtimin e ATM-ve ku turistët e huaj të kenë mundësi për të tërhequr para cash. ATM-të e vendosura jashtë degëve, në zonat turistike zakonisht nuk ofrohen direkt nga bankat, por operohen sipas një modeli biznesi në partneritet me biznese të tjera, që zakonisht janë kompanitë që tregtojnë pajisjet ATM-të.

Në këtë partneritet, banka ofron infrastrukturën bazë të pagesave, pra, sistemin, kontabilizimin dhe paranë cash. Ndërkohë, institucionet financiare ofrojnë pajisjen ATM dhe mbulojnë kostot operacionale, si transportin, rimbushjen, siguracionin e parasë, si edhe mbajnë marrëdhëniet me bizneset për qiratë e vendosjes së ATM-ve, etj. Në fund, të ardhurat ndahen në bazë të kostove të secilës palë.