
Ish-kryeministri britanik Tony Blair është hequr nga lista e kandidatëve për “bordin e paqes” të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për Gazën, pas kundërshtimeve të disa shteteve arabe dhe myslimane, sipas burimeve të njohura me çështjen.
Blair ishte emri i vetëm i identifikuar kur Trump njoftoi planin e tij me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit në fund të shtatorit, duke e cilësuar ish-kryeministrin britanik si një “njeri shumë të mirë”. Në atë kohë, Blair përshkroi planin e Trump si “të guximshëm dhe inteligjent” dhe shprehu gatishmërinë për të shërbyer në bordin, që do udhëhiqej nga presidenti amerikan.
Megjithatë, disa shtete arabe dhe myslimane shprehën kundërshtime për përfshirjen e Blair, kryesisht për shkak të reputacionit të tij të diskutueshëm në Lindjen e Mesme, pas mbështetjes së tij për pushtimin e Irakut nga SHBA-ja në vitin 2003. Kishte gjithashtu shqetësime se palestinezët mund të margjinalizoheshin brenda strukturës së qeverisjes së propozuar.
Zyra e Blair refuzoi të komentojë, por një aleat i ish-kryeministrit theksoi se ai nuk do përjashtohej nga të gjitha rolet dhe se arsyeja e heqjes nga bordi lidhej me kualifikimin, pasi bordin pritet ta përbëjnë kryesisht krerw aktualë botërorë, ndërsa Blair është ish-kryeministër.
Aleati shtoi se Blair pritet të ulet në një komitet ekzekutiv së bashku me Jared Kushner, dhëndrin dhe këshilltarin e Trump për Lindjen e Mesme, si dhe me Steve Witkoff dhe zyrtarë të lartë nga vendet arabe dhe perëndimore.
Trump vetë pranoi në tetor se mund të kishte kundërshtime ndaj emërimit të Blair, duke thënë: “Gjithmonë e kam pëlqyer Tony-n, por dua të sigurohem që ai të jetë një zgjedhje e pranueshme për të gjithë.”
Që nga largimi nga Downing Street në vitin 2007, Blair ka shërbyer si i dërguar për Lindjen e Mesme dhe ka punuar për planet e Gazës për më shumë se një vit përmes Institutit të tij, Tony Blair Institute, duke bashkëpunuar me Jared Kushner në përgatitjen e strategjive.
Një burim i informuar tha se Blair mund të ketë ende një rol në strukturat e ardhshme të qeverisjes për Gazën, duke shtuar: “Ai mund të ketë një kapacitet tjetër dhe kjo duket e mundshme. Amerikanët e pëlqejnë dhe izraelitët e pëlqejnë atë.”
Plani i Trump për Gazën ka ngecur që nga njoftimi i tij, duke u mbështetur në një armëpushim të brishtë dhe duke lënë Rripin e Gazës të ndarë midis zonave të kontrolluara nga Hamas dhe atyre të kontrolluara nga Izraeli.
Trump kishte deklaruar se bordi i paqes do përbëhej nga krerë shtetesh dhe do emërohej në ditët e ardhshme, por deri tani nuk ka pasur asnjë emërim zyrtar. Ai gjithashtu tha se faza e dytë e planit të Gazës do zbatohet “shumë shpejt”, duke lënë të kuptohet se një njoftim për bordin mund të jetë i afërt.
Si pjesë e strukturës qeverisëse për pasluftën në Gaza, pritet të krijohet një komitet ekzekutiv i kryesuar nga ish-i dërguari i OKB-së dhe ish-ministri i Mbrojtjes së Bullgarisë, Nickolay Mladenov, sipas dy personave të njohur me përgatitjet. Ky komitet do bashkërendëjë punën midis bordit të paqes dhe një komiteti teknokrat palestinez të ngarkuar me menaxhimin e përditshëm të Rripit.
Roli i Mladenov duket i ngjashëm me atë që ishte menduar fillimisht për Blair, duke përfshirë funksionin e një “ekzekutivi suprem” që do mbikëqyrte tranzicionin pasluftës në Gaza.
Pjesa më e madhe e planit mbetet e paqartë, duke përfshirë përbërjen e komitetit teknokrat palestinez dhe forcën ndërkombëtare të stabilizimit që do mbikëqyrë sigurinë. Ende nuk ka angazhime publike për këtë forcë, dhe mbeten të paqarta mandati, madhësia dhe struktura e saj e komandës.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se si do të realizohet çarmatimi i Hamasit, i cili deri tani ka refuzuar çdo lëvizje për çarmatimin, siç kërkohet nga marrëveshja e armëpushimit të Trump.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times