
Kriza diplomatike mes Japonisë dhe Kinës u thellua gjatë fundjavës, pasi avionë ushtarakë kinezë u akuzuan se kishin drejtuar radarët e tyre të zjarrit ndaj avionëve luftarakë japonezë pranë ishujve Okinawa. Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, deklaroi se Japonia do të “përgjigjet me qetësi dhe vendosmëri” ndaj incidentit dhe se vendi do të forcojë mbikëqyrjen detare dhe ajrore, duke monitoruar nga afër aktivitetet ushtarake kineze. Ministria e Jashtme japoneze thirri ambasadorin e Kinës të dielën për t’i dorëzuar një notë proteste, ndërsa Pekini hodhi poshtë akuzat dhe paraqiti kundërprotestat e veta, përcjell Guardian.
Sipas Tokios, incidenti ndodhi në juglindje të ishujve kryesorë të Okinawas, ku Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës ishte duke kryer “trajnime në det të largët”. Ministria japoneze e Mbrojtjes raportoi se kishte regjistruar rreth 100 ngritje avionësh luftarakë nga aeroplanmbajtësja kineze Liaoning. Po sipas ministrisë, avionët luftarakë J-15 nga ajo anije ushtarake kishin drejtuar radarët e kontrollit të zjarrit ndaj avionëve F-15 të Japonisë dy herë brenda të njëjtës ditë — një herë në orën 16:32 dhe sërish dy orë më vonë. Për shkak të distancës, konfirmimi vizual nuk ishte i mundur, por nuk u raportuan dëme apo të lënduar.
Një radarim i tillë konsiderohet një nga veprimet më kërcënuese në aviacionin ushtarak, pasi nënkupton një sulm të mundshëm dhe detyron avionin e shënjestruar të ndërmarrë manovra shmangëse. Agjencia japoneze Kyodo raportoi se ishte hera e parë që Ministria e Mbrojtjes njoftonte publikisht për një radarim të tillë nga avionët kinezë. Ministri i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, e cilësoi incidentin si “të rrezikshëm dhe jashtëzakonisht të pafalshëm”, duke vënë në dukje se veprimet e avionëve kinezë “tejkalonin çdo praktikë të nevojshme për fluturim të sigurt”.
Tokio thirri zëvendës-ministrin kinez të Jashtëm, Wu Jianghao, për t’i dorëzuar një protestë zyrtare, ndërsa Kina reagoi duke mohuar gjithçka dhe duke akuzuar Japoninë se ishte ajo që kishte “ndjekur dhe shqetësuar” grupin detar të Liaoning-ut. Ministria kineze e Mbrojtjes deklaroi se avionët japonezë kishin hyrë disa herë në “zonat e stërvitjes dhe trajnimit të shpallura paraprakisht”, ndërsa Ministria e Jashtme kineze i bëri thirrje Japonisë të “ndërpresë menjëherë veprimet e rrezikshme që pengojnë stërvitjet normale ushtarake të Kinës”.
Ky incident vjen në një periudhë rritjeje tensionesh, që nisën pasi kryeministrja Takaichi deklaroi se një sulm i mundshëm i Kinës ndaj Tajvanit mund të sillte përfshirjen ushtarake të Japonisë përmes të drejtës së mbrojtjes kolektive. Deklarata shkaktoi reagime të ashpra nga Pekini, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi Takaichi-t të shmangte përshkallëzimin e mëtejshëm. Megjithatë, kryeministrja japoneze refuzoi të tërhiqte komentet, duke theksuar se pozicioni i Japonisë mbetet i pandryshuar.
Në shenjë kundërpërgjigjeje, Kina ka ndërmarrë masa ekonomike dhe diplomatike, duke rikthyer ndalimin e importit të produkteve të detit nga Japonia dhe duke shtuar praninë ushtarake rreth ishujve Senkaku dhe zonave të tjera pranë Okinawas, përfshirë edhe patrullime ajrore dhe detare. Media shtetërore kineze ka ringjallur gjithashtu fushata propagandistike që vënë në pikëpyetje sovranitetin japonez mbi zinxhirin e ishujve Ryukyu, duke e shtuar edhe më tej acarimin e marrëdhënieve mes dy fuqive aziatike.