Vendosni fjalën kyçe....

Emigrantët/ Këshilli i BE-së miraton propozimin për vendet e treta të sigurta – Drejt zhbllokimit qendra italiane në Shqipëri


Ka tashmë një marrëveshje mbi rregulloren e re të riatdhesimit dhe një listë vendesh të sigurta. Dhe është pikërisht ajo që ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi, i cili ndodhet sot në Bruksel për të marrë pjesë në Këshillin e ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë, priste për t’i propozuar Këshillit të ministrave projektligjin për ratifikimin e legjislacionit të ri evropian mbi migrantët, përmes të cilit, qeveria italiane shpreson se mund të zhbllokojë përdorimin e qendrës së ngritur në Shqipëri.

 

Lista e vendeve të sigurta

Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Kosova, Maroku dhe Tunizia. Këto janë vendet e origjinës që duhet të konsiderohen të sigurta, sipas vendimit të BE-së këtë mëngjes. Në thelb, ata që nisen nga këto vende do t’i nënshtrohen procedurave të reja, duke përfshirë shqyrtimin e përshpejtuar (i cili, përveç rasteve specifike, mund të çojë në refuzimin e kërkesës së tyre për azil) ose mundësinë që shqyrtimi i kërkesës së tyre, të bëhet në një vend të tretë (jashtë BE-së) përmes të cilit kanë kaluar tranzit.

Procedurat e përshpejtuara kufitare për migrantët nga vendet e sigurta do të mund të zbatohen, pra, jo vetëm në kufijtë hyrës të BE-së, por edhe në vendet e tranzitit. Këtyre vendeve i shtohen dhe shtetet që presin të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Lista kënaq kërkesat e Italisë, duke pasur parasysh se Bangladeshi dhe Egjipti, si dhe Tunizia, janë burimet e numrit më të madh të mbërritjeve në brigjet italiane.

 

Koncepti i një vendi të tretë të sigurt

Koncepti i vendit të tretë të sigurt, u lejon gjithashtu shteteve anëtare të BE-së të refuzojnë një kërkesë për azil si të papranueshme (pa e shqyrtuar në thelb) kur azilkërkuesit mund të kishin kërkuar dhe të merrnin mbrojtje ndërkombëtare në një vend jashtë BE-së të konsideruar të sigurt për ta.

Për shembull, nëse një migrant nga Afrika sub-Sahariane kalon nga Maroku ose Tunizia përpara se të mbërrijë në Itali, atëherë është pikërisht atje që ai, mund të kishte kërkuar azil.

Në parim, vendet duhet të konsiderohen të sigurta nëse përqindja e lejeve të qëndrimit të dhëna për azilkërkuesit, nuk tejkalon 20%.

Sipas rregullave të përditësuara të miratuara nga Këshilli, Shtetet anëtare do të jenë në gjendje të zbatojnë konceptin e vendit të tretë të sigurt bazuar në tre opsionet e mëposhtme: ekziston një “lidhje” midis azilkërkuesit dhe vendit të tretë; aplikanti ka kaluar tranzit nëpër vendin e tretë para se të arrijë në BE; ose ekziston një marrëveshje ose rregullim me një vend të tretë të sigurt që siguron që kërkesa e një personi për azil të shqyrtohet në atë vend të tretë. Zbatimi i konceptit të vendit të tretë të sigurt bazuar në një marrëveshje ose rregullim nuk është i mundur në rastin e të miturve të pashoqëruar.

 

Qendrat në vendet e treta të sigurta

Marrëveshja e arritur mbi rregulloren e re të riatdhesimeve hap rrugën për krijimin e të ashtuquajturave “qendra kthimi” jashtë kufijve të Evropës. “Lidhur me qendrat e kthimit, nuk është puna ime të mendoj për vendet e treat. Këto janë negociata midis Shteteve anëtare dhe më pas me vendet e treta. Do të ishte pozitive, sigurisht, nëse disa palë do të bashkonin forcat.

Po mendoj për Holandën, e cila është në diskutime me Ugandën. Gjermania tashmë është bashkuar në bisedime. Po ashtu, si mes Italisë e Shqipërisë. Por nuk më takon mua të vendos; ne tashmë kemi hedhur bazën ligjore për të shqyrtuar ide të tilla të reja dhe inovative”, shpjegoi Komisioneri i BE-së për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, pas mbërritjes së tij në Këshillin e Punëve të Brendshme të BE-së.

 

Kuotat e solidaritetit për migrantët

Ende në tryezë mbetet përkufizimi i një “grupi solidariteti”, apo angazhimet e Shteteve anëtare për të ndihmuar vendet e mbërritjes së parë.

Komisioni ka paraqitur një propozim, por disa shtete vazhdojnë të shmangin format e solidaritetit që duhet të garantohen për vendet, të tilla si Italia, të ekspozuara ndaj presionit migrator që konsiderohet se është përtej pragut. Finlanda, për shembull, e ka bërë të ditur tashmë se është e gatshme të kontribuojë vetëm me ndihmë monetare, por jo të mirëpresë migrantët në territorin e saj.

Tani u takon 27 vendeve të bien dakord. “Jam shumë optimist se do të gjejmë një zgjidhje sot, sepse është një pjesë shumë e rëndësishme e paktit të përgjithshëm të migracionit”, shprehu besimin e tij komisioneri Brunner./ La Repubblica