Vendosni fjalën kyçe....

“BE-ja është Rajhu i Katërt, Komisarët e Brukselit përgjegjës për vrasjen e Evropës” – Elon Musk


Manjati i teknologjisë Elon Musk e ka krahasuar Bashkimin Evropian me një version të ri të Gjermanisë Naziste, pasi blloku evropian vendosi një gjobë të konsiderueshme ndaj platformës së tij të mediave sociale, X.

Ai ka qenë tejet i ashpër ndaj BE-së teksa shkruan në plaformën e tij X se “Komisarët e BE-së janë përgjegjës për vrasjen e Evropës”.

Komenti i tij është mbi një lajm të vitit 2012 që shkruan se Gjykata Evropiane censuron Italinë lidhur me emigrantët nga Afrika.

Gjatë fundjavës, Musk publikoi një sërë mesazhesh të ashpra kundër BE-së, pasi Komisioni Evropian e gjobiti platformën X me rreth 120 milionë euro. Gjobitja u bazua në shkeljen e ashtuquajtur të “detyrimeve të transparencës” sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale të vitit 2022, një kuadër ligjor që përcakton rregulla strikte për moderimin e përmbajtjes dhe përgjegjshmërinë e platformave digjitale.

Komisioni Evropian argumentoi se sistemi i reklamimit të platformës nuk ishte mjaftueshëm transparent dhe se përdorimi i shenjës blu të verifikimit – e njohur si “blue checkmark” – ishte potencialisht mashtrues për përdoruesit.

Në reagim, Musk ripostoi një mesazh ku shkruhej “Rajhu i Katërt”, i shoqëruar me një imazh ku flamuri i Bashkimit Evropian bashkohej me flamurin e Gjermanisë Naziste poshtë tij. Ai e shoqëroi ripostimin me komentin: “Mjaft e saktë”.

Më herët, Musk e kishte cilësuar BE-në si një “përbindësh burokratik”, duke pretenduar se udhëheqja e saj po “e mbyt ngadalë Evropën duke e çuar deri në vdekje”. Miliarderi amerikan ka qenë prej kohësh kritik i ashpër i rregulloreve evropiane, të cilat ai i konsideron teprica dhe pengesë për inovacionin dhe lirinë e shprehjes. Në disa mesazhe, ai ka bërë thirrje të hapura për shpërbërjen e Bashkimit Evropian.

“BE-ja duhet të shfuqizohet dhe sovraniteti t’u kthehet shteteve individuale, në mënyrë që qeveritë të mund t’i përfaqësojnë më mirë qytetarët e tyre,” shkroi Musk.

Deklaratat e tij janë mbështetur nga zyrtarë të lartë amerikanë. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e dënoi gjobën e vendosur nga BE-ja, duke e quajtur atë “një sulm ndaj të gjitha platformave teknologjike amerikane dhe ndaj popullit amerikan nga qeveri të huaja”.

“Ditët e censurimit të amerikanëve në internet kanë përfunduar,” deklaroi Rubio.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian, Andrew Puzder, e kritikoi vendimin e bllokut, duke theksuar se Uashingtoni “kundërshton censurën dhe do sfidojë rregulloret e rënda që synojnë kompanitë amerikane jashtë territorit të SHBA-së”.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka mbrojtur qëndrimin e tij. Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, Henna Virkkunen, deklaroi se vetëm platforma e drejtuar nga Musk ishte ndëshkuar dhe se gjoba ishte e justifikuar.

Sipas saj, “mashtrimi i përdoruesve përmes shenjave blu të verifikimit, mungesa e transparencës në reklama dhe përjashtimi i studiuesve nga qasja në të dhëna nuk kanë vend në hapësirën digjitale të Bashkimit Evropian”.