Vendosni fjalën kyçe....

Ish-zyrtari i lartë i DEA-s nën akuzë për pastrim parash për kartelin meksikan CJNG



Paul Campo, ish-drejtues i lartë i Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA) gjatë administratës Obama, është vënë nën akuzë së bashku me shokun e tij, Robert Sensi, për pastrim parash në favor të një prej karteleve më të fuqishme të Meksikës — Cartel de Jalisco Nueva Generación (CJNG), përcjell Breitbart.

Sipas aktakuzës 15-faqëshe të bërë publike, Campo, i cili ka shërbyer si zv/shef i operacioneve financiare të DEA-s, akuzohet se ka rënë dakord të pastrojë 12 milionë dollarë për CJNG, kartel që kontrollon një pjesë të konsiderueshme të trafikut të drogës drejt SHBA-së dhe është i përfshirë edhe në trafikim njerëzor përgjatë kufirit SHBA–Meksikë.

Prokurorët federalë thonë se Campo dhe Sensi nisën takimet me një burim konfidencial të paraqitur si përfaqësues i CJNG-së në fund të vitit 2024.

Në vijim, të pandehurit dyshohet se ranë dakord të:

  • Pastrojnë 12 milionë dollarë nga trafiku i narkotikëve.

  • Pastojnë 750 mijë dollarë duke i konvertuar në kriptovaluta.

  • Bëjnë pagesën për rreth 220 kg kokainë, me vlerë afro 5 milionë dollarë, me marrëveshjen që kjo pagesë do të çonte në shpërndarjen dhe shitjen e drogës.

Sipas njoftimit zyrtar:

Campo dhe Sensi do të përfitonin drejtpërdrejt një pjesë të fitimeve nga shitja e narkotikëve, si dhe një komision shtesë nga pastrimi i pjesës së mbetur të të ardhurave.

Campo është larguar nga posti i tij federal pas zgjedhjes së Donald Trump në vitin 2016, duke iu bashkuar valës së zyrtarëve të administratës Obama që lanë detyrën atë vit.

Çështja ka shkaktuar tronditje të madhe duke qenë se Campo ka mbajtur një rol kyç në luftën kundër pastrimit të parave të trafikut të drogës — aktivitet për të cilin tani ai vetë akuzohet se ka bashkëpunuar me një nga organizatat kriminale më të dhunshme në Meksikë.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në javët në vijim.