
Në këtë 6 dhjetor, siç tradita e do, janë ndezur dritat e festave dhe pemët e Krishtlindjes në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke krijuar një atmosferë festive për të vegjël e të rritur, të shoqëruar me muzikë dhe lojëra.
Shkodra u dallua këtë vit për realizimin më të bukur të dekorimeve, ndërsa kryeministri Edi Rama shpërndau pamje nga spektakli i bashkisë për qytetarët.
Pamjet i ka ndarë edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, ku shihet se këtë vit kjo bashki ka dhënë një spektakël të vërtetë për qytetarët e saj që ishin mbledhur para bashkisë për të festuar dhe gëzuar me të vegjlit e tyre.
Edhe Tirana ndezi zyrtarisht dritat e festave, duke hyrë në sezonin më të bukur të vitit. Sheshi “Skënderbej” u zbukurua me qindra drita festive mbi bredhet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Ceremonia nisi me këngë festive dhe vijoi me ndezjen e dritave, në praninë e qindra qytetarëve dhe fëmijëve, të cilët shijuan atmosferën magjike të festave.
Korça ndezi në mënyrë simbolike dekorimet festive, me një kalendar aktivitetesh dhe ofertë turistike për periudhën e fundvitit, sipas kreut të bashkisë Sotiraq Filo.
Sheshi i qytetit u mbush me qytetarë dhe vizitorë, ndërsa numërimi mbrapsht dhe ndezja e dritave krijuan atmosferën e parë të festimeve që do ta shoqërojnë Korçën gjatë gjithë muajit dhjetor.
Edhe qyteti i Elbasanit ka ndezur dritat e festave të fundvitit këtë të shtunë, teksa qindra qytetarë ndoqën ceremoninë e organizuar nga bashkia.
Atmosfera festive ka pushtuar sheshin qendror të Fierit, ku mbrëmjen e sotme u ndezën dritat e pemës së Krishtlindjeve në një ceremoni mjaft të ngrohtë.
Durrësi u shndërrua këtë të shtunë në një panoramë drite dhe hareje, teksa qyteti ndezi dritat festive që do të ndriçojnë çdo cep gjatë ditëve të ardhshme. 



Edhe në Shijak ndezja e dritave për festat e fundvitit u shoqërua me muzikë festive dhe këngët e fëmijëve që krijuan një atmosferë të ngrohtë.
Atmosfera e festave të fundvitit ka trokitur edhe në Lezhë. I gjithë qyteti është veshur me dekorin festiv, ndërsa ndezja e dritave u bë përmes një ceremonie të veçantë në lulishten para memorialit të “Gjergj Kastriotit”.
Në këtë natë festive, kryebashkiaku Pjerin Ndreu ndërsa uroi të gjithë qytetarët tha se ky qytet vazhdon të rritet e të ndryshojë.
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha