Vendosni fjalën kyçe....

Palët gjejnë gjuhën e përbashkët, festivali Sunny Hill rikthehet në Kosovë, do mbahet edhe në Shqipëri


Festivali Sunny Hill është rikthyer sërish në Kosovë pas mosmarrëveshjeve mes drejtuesve të tij dhe autoriteteve të Prishtinës zyrtare.

Në fakt festivali do mbahet në Kosovë në datat 4-5-6-7 gusht ashtu edhe Shqipëri në datat 26-27-28 gusht.

Në deklaratën e përbashkët të Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival thuhet se palët do bashkëpunojnë për organizimin dhe mbarëvajtjen e festivalit në Prishtinë siç ka qenë e vendosur më herët.

Deklarata

“Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës), Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival

Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022. Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.

Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm. Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë. Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror. Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.

Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.”