
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se organizata ndërkombëtare e partive të djathta, Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), ka miratuar një rezolutë të posaçme për Shqipërinë, në të cilën dënohet “narko-regjimi” dhe jepet mbështetje e plotë për opozitën shqiptare.
Sipas tij, kjo rezolutë përbën një sinjal të fortë politik nga miqtë ndërkombëtarë të së djathtës.
“Organizata e partive të djathta e udhëhequr nga Partia Republikane amerikane miratoi rezolutën ku dënohet narko-regjimi dhe jepet mbështetje e plotë për opozitën shqiptare”, tha Berisha.
Ai e cilësoi këtë si një zhvillim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se rezoluta nënvizon shqetësimet globale për situatën politike në vend.
“Një ngjarje e re e madhe ka ndodhur në denoncimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë. E regjimit që i ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale. E regjimit që përdor prokurorinë si armë politike kundër opozitës”, u shpreh Berisha, duke shtuar se rezoluta cilëson qeverinë shqiptare si kërcënim për stabilitetin rajonal.
Ai theksoi se forumi ku u miratua rezoluta bashkon rreth 80 parti të djathta dhe qendër-djathte në botë, mes tyre Partinë Republikane të SHBA-së, CDU-në gjermane dhe Partinë Konservatore britanike.
“Kanë votuar në unanimitet të plotë, me mbështetje të plotë, pa asnjë vërejtje, rezolutën kushtuar Shqipërisë”, tha Berisha, duke nënvizuar se ky është dokumenti i shtatë ndërkombëtar në 14 muaj që, sipas tij, denoncon regjimin e Edi Ramës.
Ai kujtoi se prej tetorit 2024 janë miratuar shtatë rezoluta të djathtës së organizuar ndërkombëtare, dy nga IDU, dy nga Partia Popullore Europiane dhe tre nga Internacionalja Demokratike e Qendrës.
“Të gjitha këto rezoluta faktojnë realitetin dramatik të Shqipërisë nën regjimin e Edi Ramës”, theksoi Berisha, duke shtuar se dokumentet ndërkombëtare përbëjnë mbështetje të drejtpërdrejtë për opozitën dhe për qytetarët që, sipas tij, po përballen me shtypje të pluralizmit dhe lirive themelore.
“Janë një mbështetje e fuqishme për popullin opozitar që po përjeton ditët ndër më të vështirat”, deklaroi kryetari i PD, duke e cilësuar qeverinë aktuale si një “narko-shtet” që ka minuar institucionet dhe proceset demokratike në vend.