
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 4 dhjetor se vendi nuk do të përballet me probleme në furnizimin me gaz natyror, pasi pret nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër me Rusinë me “çmime të mira”. Sipas tij, marrëveshja pritet të garantojë furnizim të qëndrueshëm të paktën deri në verë, përcjell REL.
“Presim së shpejti nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër për furnizimin me gaz. Deri në verë nuk do të kemi asnjë problem dhe ky është një lajm i mirë për qytetarët”, tha Vuçiç për televizionin Pink.
Kontrata e mëparshme e furnizimit ka skaduar në maj dhe Serbia – e cila varet fuqishëm nga gazi rus – ende nuk ka rinovuar një marrëveshje të re.
Vuçiç e quajti “lajm të mirë” edhe vendimin e SHBA-së për të zgjatur deri më 26 prill licencën që lejon kompaninë ruse Lukoil të vazhdojë operacionet në Serbi. Lukoil zotëron 112 pika karburanti në vend.
Nga ana tjetër, Serbia ndodhet në krizë për shkak të sanksioneve amerikane të vendosura më 9 tetor ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), pasi shumica e aksioneve të saj kontrollohen nga Rusia. Si rezultat, rafineria e NIS-it në Pançevë pezulloi punën më 2 dhjetor.
Presidenti serb foli edhe për paralajmërimet se SHBA mund të vendosë sanksione dytësore ndaj Bankës Popullore të Serbisë apo bankave tregtare nëse ato kryejnë transaksione me NIS-in.
“Sipas logjikës amerikane, ata çojnë deri në fund interesat e tyre, pa marrë parasysh çmimin që paguan Serbia. Edhe Rusia ndjek interesat e veta. Ne nuk duhet të vuajmë për shkak të marrëdhënieve të tyre”, tha Vuçiç, duke pranuar se transaksionet me NIS-in për një kohë do të vazhdojnë, gjë që “përbën rrezik” për vendin.
Vuçiç theksoi se Serbia nuk ka pasur mungesë derivatesh, pavarësisht se për 55 ditë nuk ka ardhur asnjë pikë naftë përmes naftësjellësit dhe se rafineria në Pançevë vijon të jetë e mbyllur.
“Kemi mbushur të gjitha rezervat dhe dikush ka paguar për këtë. Inflacioni ra në 2.7% në nëntor dhe kemi rritur pensionet ndjeshëm”, tha ai.
Megjithatë, presidenti paralajmëroi se pas 15 janarit situata e furnizimit me derivate mbetet e pasigurt.
Vuçiç shtoi se pret që Rusia të bjerë dakord për transferimin e pronësisë së NIS-it, në përputhje me kërkesat e sanksioneve amerikane.
Sipas tij, nëse sanksionet nuk hiqen, ekonomia serbe do të rritet më ngadalë, gjë që do të ndikojë në rritjen e pagave dhe pensioneve.
Sanksionet amerikane ndaj sektorit energjetik rus synojnë të kufizojnë aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë, ndërsa NIS-i ka marrë disa herë shtyrje të përkohshme të masave, përfshirë tetë herë më parë.