Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi pas shtyrjes së seancës paraprake në GJKKO: Meta nuk është njohur me dosjen, gjykata urdhëroi SPAK-un të dorëzojë fashikujt


Seanca paraprake në GJKKO për dosjen ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë është shtyrë edhe një herë. Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 22 dhjetor, në orën 14:30.

Pasi doli nga gjykata, Monika Kryemadhi deklaroi se shtyrja u vendos nga trupi gjykues për shkak se Ilir Meta nuk është pajisur ende me dokumentet e dosjes, duke e konsideruar këtë një shkelje të procedurës penale.

Sipas Kryemadhit, që në seancën e kaluar palët kanë kërkuar listën e provave, e cila, sipas saj, nuk i është dorëzuar asnjë të pandehuri.

“Seanca e sotme u shty për datën 22 dhjetor, ora 14:30, për shkak se zoti Meta nuk është pajisur me dokumenta. Përveç faktit që në seancën e kaluar kemi kërkuar listën e provave, e cila nuk i është dhënë asnjë të pandehuri, ku në bazë të Kodit të Procedurës Penale çdo akuze që çohet në gjykatë i bashkangjitet dhe lista e provave. Gjë e cila mungon, e cila është shkelje proceduriale”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se Meta nuk ka pasur mundësi të njihet me dosjen edhe për shkak të kushteve teknike në masën e sigurisë.

“Zoti Meta nuk ka pasur mundësi të njihet me dosjen, pasi edhe në mënyrën elektronike që u është dhënë avokatëve, ai nuk ka as kompjuter, as printer atje. Gjykata pranoi dhe vendosi që prokuroria brenda një jave të mundësojë në formë fizike të gjithë fashikujt”, deklaroi ish-deputetja.

Kryemadhi bëri të ditur se ka paraqitur kërkesë për t’u pajisur me të gjithë ekspertimin e telefonit të saj nga SPAK, duke theksuar se aparati është sekuestruar sipas saj në mënyrë të paligjshme.

“Kam kërkuar të më jepet i gjithë ekspertimi i telefonit celular, edhe pse ai më është marrë në mënyrë të paligjshme. Edhe pse në bazë të letërporosisë që kanë dërguar në SHBA, është gënjyer Departamenti i Shtetit, ku është kërkuar nga DASH një vendim gjykate për sekuestrimin e telefonit tim”, u shpreh Kryemadhi.

Seanca e 22 dhjetorit pritet të përcaktojë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.