Vendosni fjalën kyçe....

Salianji rikthen episodin e vitit 2021: Më hoqën nga lista, por 1 mijë demokratë thanë ‘ky është deputeti’



Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka folur sërish për situatën brenda Partisë Demokratike dhe pakënaqësitë e shumta që vijnë nga baza lidhur me mënyrën e hartimit të listave. Në një intervistë në emisionin “Opinion”, ai riktheu një episod të vitit 2021, kur një komision brenda PD e përjashtoi nga lista e kandidatëve për deputet.

Salianji tha se pas vendimit ai zhvilloi një takim me 1 mijë demokratë, të cilët – sipas tij – e konsideruan atë përfaqësuesin e tyre të vërtetë.

“Në 2021 një komision në PD më hoqi nga lista. Shkova dhe mblodha 1 mijë njerëz dhe thanë ‘ky është deputeti’. Ku ndalohet në statut të takosh demokratët? Çfarë shqetësimi kanë?”, u shpreh ai.

Sipas Salianjit, në parti nuk duhet të ketë shqetësim për ata që takojnë njerëzit, por për ata që “rrijnë në vend” pa lëvizur strukturat.

“Duhet të ketë shqetësim për ata që takojnë njerëz apo për ata që rrinë në vend? Kjo ka bërë që këto kohë të flitet për PD-në dhe që ka PD”, tha ai, duke nënvizuar se lëvizjet e tij kanë rikthyer debatet dhe energjinë brenda partisë.