
Federica Mogherini ka dhënë dorëheqjen nga posti i rektores së Kolegjit të Evropës, sipas raportimeve të mediave italiane, pas vënies nën akuzë për mashtrim në lidhje me tenderat e këtij institucioni.
Në një email drejtuar stafit dhe studentëve të institucionit prestigjioz në Bryzh, Mogherini njoftoi largimin e saj, ndonëse pa dhënë shpjegime për arsyet specifike të këtij vendimi.
“Në frymën e rigorozitetit dhe integritetit të plotë me të cilin kam ushtruar gjithmonë funksionet e mia, kam vendosur sot të jap dorëheqjen nga detyra e Rektorit të Kolegjit të Evropës dhe e Drejtores së Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian. Jam e bindur se komuniteti i Kolegjit, në të tre kampuset tona, do të vazhdojë rrugën e inovacionit dhe përsosmërisë që kemi ndërtuar së bashku gjatë këtyre pesë viteve të jashtëzakonshme,” deklaroi ajo.
Mogherini, së bashku me dy zyrtarë të tjerë të lartë evropianë, është vendosur nën hetim në gjendje të lirë për mashtrim, korrupsion në prokurime, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.
Hetimi lidhet me dyshime se Kolegji i Evropës ka përfituar në mënyrë të parregullt një tender për akomodimin e kursantëve të Akademisë Diplomatike në vitin 2022 në Bryzh, duke përdorur informacione të parapërgatitura dhe në kundërshtim me rregullat e konkurrencës.