
Berisha komentoi foltoren e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji ditën e djeshme në Durrës.
Ai tha se PD-ja mbetet parti e hapur për të dëgjuar këdo që ka mendim ndryshe por gjithçka bëhet sipas rregullave të miratuara bashkarisht dhe ato duhet të respektohen.
“Janë propozimet tuaja, kritikat tuaja, sugjerimet tuaja, tërheqja e vlerave nga secili prej jush në këtë parti, ato që do e ngrenë këtë në lartësinë e përmbushjes së një misioni historik. E vetmja forcë politike në Europë që përmbysi dy diktatura dhe kjo do jetë Partia Demokratike. Ne jemi dhe do mbetemi parti e hapur, absolutisht parti e fjalës së lirë dhe e mendimit të lirë. Në këtë parti, çdo njeri do ketë të drejtë të kritikojë, të votojë kundër në vullnetin e tij të lirë. Por si çdo parti tjetër, është një parti me rregullat e miratuara bashkërisht. Dhe ato duhet të respektohen. Nuk mundet kurrë t’i imponohesh në atë mënyrë.
E kam fjalën këtu, secili nga demokratët, çfarëdo gjëje që të ketë, duhet ta thotë pa asnjë ndrojtje, por brenda forumeve. Secili demokrat do ketë të drejtën të votojë për cilindo. Të votojë i lirë.” – tha Berisha.
Më tej ai theksoi se beteja është për votën e lirë e cila deri tani është pamundësuar nga narkoshteti i Edi Ramës.
“I dëgjojmë me të drejtë thonë, po si s’ngrihen shqiptarët? Ja si ngrihen rumunët. Po rumunët bëjnë zgjedhje mor zotërinj. Bëjnë zgjedhje të lira. Nuk i shtyp një regjim, nuk i shtypin bandat, krimi, dhuna. Pavarësisht nga problemet që kanë, po aty rotacioni nuk pengohet nga krimi. Nuk ushtrohet terror.
A e dëgjuat ju si i thoshte ajo? Atij asgjë atij demokratit, atij deputetit demokrat, asgjë. Armikut të klasës, asgjë. Pra, ne kemi çdo të drejtë. Por ne kemi dhe do kemi mbështetje gjithnjë më të madhe. Do t’ju them këtu, këta miqtë e tij, dhe nuk kanë qenë të paktë, ishin të revoltuar me mua se flisja për narkoshtet. Flisja për narkoshtet. Po unë flisja për narkoshtet, se narkoshteti po na shkatërron. Po i largon shqiptarët nga Shqipëria, po i varfëron, po i mjeron, po i bën të gjitha.” – shtoi Berisha.