Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi: Sa është hapur kutia e Pandorës-Balluku


Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, sulmoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën hetim nga SPAK lidhur me skandalin e komunikimeve të publikuara së fundmi.

Bylykbashi iu referua deklaratës së famshme të Ramës, “nuk keni parë gjë akoma”, duke e kthyer atë në ironi politike në dritën e zhvillimeve të fundit.

Sipas tij, rastet e publikuara me zhdukjen e fondeve publike dhe mënyrën se si menaxhohen financat shtetërore tregojnë për një korrupsion të thellë që sapo ka nisur të dalë në sipërfaqe.

Ai theksoi se hetimet e nisura për Ballukun janë vetëm fillimi i asaj që ai e quajti “Kutia e Pandorës-Balluku”, një metaforë që, sipas tij, tregon dimensionin e skandalit dhe çfarë mund të zbardhet në vijim.

Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se ka zhdukur fonde në mënyrë kriminale dhe paralajmëroi se shqiptarët mund të përballen me zbulime të tjera tronditëse.

“Më kujtohet kur Rama tha: ‘nuk keni parë gjë akoma’. E tha vërtetë, se nuk ka lënë gjë pa bërë. Kur pamë komunikimet online të zv.kryeministres se si zhduket në mënyrë kriminale fondi, siç ndodh me këtë buxhet… Mendoni se sa iu janë vjedhur. ‘Nuk keni parë gjë akoma’, por kushedi se sa do shohim. Vetëm sa është hapur Kutia e Pandorës-Balluku. E ka paralajmëruar Rama, do të shohim dhe gjëra më vonë.”, tha Oerd Bylykbashi nga foltorja e Kuvendit.