
Ervin Salianji do të zhvillojë sot në orën 18:00 takime me qytetarët në Durrës, pasi ka nisur një tur takimesh në bazë pas mbledhjes me më të votuarit e PD-së në primare.
Në takimin e parë morën pjesë Ilir Alimehmeti (më i votuari në Qarkun Tiranë), Hysen Kadiu, Aulon Kalaja (më i votuari në listën e hapur të Durrësit), Gent Cela (Fier), Qani Xhafa (Elbasan), Ted Kopliku (Shkodër), Xhemal Gjunkshi (Dibër), Alma Kore (Gjirokastër), Pardid Mahmutaj (Berat), Nada Daullja (Vlorë), si edhe fitues të tjerë të primareve.
Qëllimi i mbledhjes ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së kandidatëve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për Partinë Demokratike në momentin aktual. Diskutimet u përqendruan në rikthimin e ADN-së fituese të partisë, forcimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe rritjen e besimit te qytetarët.