
Ka nisur në Durrës “Foltorja” e ish-deputetit Ervin Salianji, një iniciativë e re e Partisë Demokratike që synon të ringrejë strukturat lokale dhe të rikthejë besimin e qytetarëve tek partia.
Në këtë mbledhje morën pjesë qindra demokratë nga qarku i Durrësit, përfshirë drejtues lokalë, ish-deputetë dhe figura të njohura të PD-së, si Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, Tan Burgia, Vis Shuaipi, Pëllumb Berisha, Arlind Boshku, Nikolin Radovani dhe Luan Hoti.
Salianji theksoi rëndësinë e mobilizimit të demokratëve dhe rikthimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Ai nënvizoi se ndryshimi i Partisë Demokratike duhet të nisë nga qelizat më të vogla deri tek ato më të mëdha dhe se PD duhet të përgatitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe për të mundur qeverinë aktuale.
“Rizgjim i PD, sepse ju jeni heronjtë e PD, keni sakrifikuar dhe keni dhënë kontribut duke u përballur me autokraci dhe në këmbim s’keni kërkuar asgjë veç vëmendjes, e dëgjesës, e ndarjes së shqetësimeve që secili i ka për fuqizimin e PD. Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirru, thirrjet e tyre s’duhen relativizuar dhe nuk duhen injoruar. Këto thirrje janë dhimbje që rëndojnë dhe duhet të rëndojnë në peshën e përgjegjësi të çdo politikani, e kam ndjerë këtë thirrje dhe përgjegjësiajonë duhet të jetë e qartë, PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që gjithë po presin ky ndryshim nis edhe nga kjo sallë si takim i parë që i zhvillojmë me demokratët, nga kjo energji që është e pashtershme në PD por që nuk i jepet mundësia”, tha Salianji.
Në takim u theksua edhe nevoja për fytyra të reja dhe hapje të partisë, si dhe për pastrimin e “ujit të ndenjur” brenda PD-së.
Oresti Berberi, 19-vjeçar dhe anëtar i FRPD në Durrës, shtoi se ndryshimi duhet të nisë nga baza më e vogël dhe të përfshijë çdo nivel të strukturave partiake.
Ai theksoi se sallat e mbushura me demokratë tregojnë se ekziston shpresë për një PD fituese dhe energjike.
Ky takim ka hasur edhe në kundërshtime brenda partisë. Sali Berisha e ka kritikuar më herët mbledhjen, duke thënë se këto foltore shërbejnë interesave personale dhe jo forcimit të PD-së.
Për më tepër, disa orë para takimit, demokratëve të Durrësit u është kërkuar përmes mesazheve në telefon të mos marrin pjesë në këtë iniciativë.
Megjithatë, Salianji theksoi se Partia Demokratike duhet të jetë e hapur, e energjike dhe e përgatitur për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për të udhëhequr ndryshimin që shumë shqiptarë presin.
Ai nënvizoi se zëri i ri brenda partisë ka sjellë shpresë dhe aspirata fitoreje, duke i dhënë PD-së mundësinë të rikthehet si alternativë reale qeverisëse.