
Në përvjetorin e parë të shpalljes së papritur të gjendjes ushtarake në Korenë e Jugut, presidenti Lee Jae Myung u zotua të trajtojë pasojat e kryengritjes së dështuar të vitit të kaluar dhe të sigurojë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi. Më 3 dhjetor 2024, ish-presidenti Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen ushtarake, duke shkaktuar protesta masive dhe një përballje të fortë në parlament, përcjell DW.
“Papërgjegjshmëria e atyre që tentuan të shkatërronin rendin kushtetues dhe madje të nxisnin një luftë për ambicie personale duhet të vihet para drejtësisë,” tha Lee të mërkurën, duke paralajmëruar se tentativa kishte rrezikuar të shkaktonte dëme “të parikuperueshme” për demokracinë e vendit, nëse nuk do të ishte kundërshtimi i qytetarëve.
Presidenti njoftoi se do t’i propozojë qeverisë shpalljen e 3 dhjetorit si festë kombëtare për të nderuar qytetarët që iu kundërvunë tentativës për gjendje ushtarake, duke shtuar se ata meritojnë të merren në konsideratë për Çmimin Nobel të Paqes. Policia e Seulit konfirmoi për AFP se të paktën 2,000 persona pritet të mblidhen pranë Asamblesë Kombëtare për të përkujtuar përvjetorin. Lee pritet të marrë pjesë në tubimin jashtë Parlamentit, aty ku një vit më parë deputetët kishin sfiduar praninë e ushtarëve për të votuar kundër dekretit të Yoon-it.
Ish-presidenti Yoon kishte justifikuar shpalljen e gjendjes ushtarake me nevojën për të “shpëtuar vendin nga forcat pro-Koresë së Veriut” dhe më pas dërgoi trupa dhe polici brenda Asamblesë. Megjithatë, një numër i mjaftueshëm deputetësh arritën të futeshin në sallën e seancave dhe votuan unanimisht kundër dekretit, duke detyruar kabinetin ta tërhiqte. Yoon u shkarkua nga posti dhe aktualisht përballet me gjyq për akuza për kryengritje, së bashku me mbi 20 ish-zyrtarë të tjerë. Ndërkohë, mbështetës të ish-partisë së tij, People Power Party, po planifikojnë një protestë kundërpërkujtimore, duke u bërë thirrje drejtuesve të mos kërkojnë falje për krizën.
Lee deklaroi gjithashtu se ndihej i detyruar t’i kërkonte falje Koresë së Veriut për fushatën e dronëve dhe fletushkave të paraardhësit të tij, por u shpreh se një veprim i tillë mund të ndizte tensione të reja politike. Ai theksoi se Koreja e Jugut do të ruajë neutralitetin përballë konfliktit Kinë–Japoni mbi Tajvanin, duke thënë se “marrja e anës vetëm sa rrit tensionet”. Presidenti shtoi se synon të krijojë kushtet për rifillimin e dialogut mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, përfshirë rishikimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA–Kore e Jugut.