
Organizata Hibrid.info, cituar nga Kosova Press ka ngritur alarmin për qarkullimin e videove të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale në rrjetet sociale, pak ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë. Sipas organizatës, në TikTok po shpërndahen video të manipuluara ku shfaqen gazetarë të rremë duke intervistuar mërgimtarë në aeroport për preferencat e tyre politike.
Gjatë një takimi informues me gazetarë, Festim Rizanaj, hulumtues i lartë në Hibrid.info, tha se shqetësimi kryesor lidhet me ndikimin e madh të këtyre përmbajtjeve për shkak të shikueshmërisë së lartë.
“Problemi është se këto video po dëgjohen shumë, por nuk po verifikohet nëse janë të vërteta. Shumë qytetarë po mashtrohen nga përmbajtjet e gjeneruara me AI”, deklaroi ai, duke shtuar se Hibrid.info ka identifikuar disa mënyra të thjeshta për t’i dalluar videot artificiale.
Hulumtuesja Hyrije Mehmeti theksoi se këto video kanë ndikim të ndjeshëm në opinionin publik, pasi shumë njerëz i besojnë pa verifikim. Ajo u shpreh se kjo është hera e parë që një proces zgjedhor në vend shoqërohet me një shpërthim të tillë të manipulimeve teknologjike.
Hibrid.info u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë çdo informacion para se ta besojnë apo ta shpërndajnë.