
Presidenti rus Putin tha sot se nëse Evropa vendos t’i shpallë luftë Rusisë, ajo mund të përfundojë shumë shpejt.
Shefi i Kremlinit theksoi se në Ukrainë, Rusia po vepron në mënyrë kirurgjikale dhe shumë të kujdesshme ndërsa një luftë ndaj Evropës do ishte krejt tjetër gjë.
Sipas tij, nëse një gjë e tillë ndodh, shumë shpejt në Evropë mund të mos mbetet më askush që të negociojë.
“Nuk kemi në plan ta sulmojmë Evropën, e kam thënë këtë gjë me qindra herë. Por nëse Evropa, befas vendos të na shpallë luftë dhe e fillon atë ne jemi të gatshëm të luftojmë, që tani. Nuk mund të ketë asnjë dyshim për këtë. çështja është nëse Evropa nis një luftë, unë besoj se shumë shpejt…kjo nuk është Ukraina. Me Ukrainën ne po veprojmë në mënyrë kirurgjikale, të kujdesshme, e kuptoni këtë gjë apo jo? Nuk është një luftë në konceptin e plotë dhe modern të fjalës. Nëse Evropa vendos të na shpallë luftë situata mund të arrijë shumë shpejt një pikë në të cilën nuk do mbetet më askush me të cilin të negociojmë.” – tha presidenti rus Putin.