Vendosni fjalën kyçe....

Hong Kong krijon komision të pavarur hetimor pas zjarrit që la mbi 150 viktima



Hong Kongu do të ngrejë një komision të pavarur hetimor, i kryesuar nga një gjyqtar, për të zbuluar shkakun e zjarrit të rëndë në një kompleks banimi, i cili tronditi qytetin dhe la të paktën 151 viktima. Udhëheqësi i rajonit, John Lee, tha se komisioni do të japë rekomandime për të parandaluar tragjedi të ngjashme.

Lee u zotua të kapërcejë interesat e ngulitura dhe të reformojë të gjithë sistemin e rinovimit të ndërtesave, pasi zjarri i së mërkurës së kaluar në kompleksin Wang Fuk Court në Tai Po u përhap me shpejtësi në shtatë nga tetë kullat e banuara nga mbi 4,600 persona. Rreth 30 persona ende rezultojnë të zhdukur dhe 40 mbeten të shtruar në spital, përcjell AP.

Hetimet e para janë fokusuar te arsyeja pse flakët u përhapën kaq shpejt, duke tejkaluar përpjekjet e zjarrfikësve. Deri tani janë arrestuar të paktën 14 persona, përfshirë kontraktorë, drejtues kompanish dhe një konsulent inxhinierie, nën dyshimet për korrupsion dhe neglizhencë në punimet e rinovimit.

Autoritetet kanë konstatuar se kontraktorët përdornin materiale nën standard, përfshirë rrjeta mbrojtëse të cilat nuk i përmbushnin kërkesat e sigurisë. Nga 20 mostrat e marra, shtatë rezultuan të papërshtatshme. Sipas Lee, ata që përgjigjeshin për punimet madje përzienin materiale të certifikuara me ato nën standard për të mashtruar inspektorët.

Ndërkohë, qeveria ka akomoduar rreth 2,500 persona në strehim të përkohshëm, duke i sistemuar në banesa publike, hotele dhe konvikte. Rreth 20 banorë mbeten ende në qendrat e emergjencës.

Lee theksoi se transparenca e hetimit është thelbësore për rikthimin e besimit publik dhe se nuk do të tolerohen përpjekje për të shfrytëzuar tragjedinë për qëllime kriminale.