Vendosni fjalën kyçe....

Exxon në bisedime me Irakun për blerjen e aksioneve të Lukoil në pellgun gjigant naftëmbajtës


Exxon Mobil i është drejtuar ministrisë irakiane të naftës për të shprehur interesin në blerjen e shumicës së aksioneve të Lukoil në fushën gjigande të naftës West Qurna 2, thanë për Reuters pesë zyrtarë irakianë të njohur me situatën.

Lukoil po kërkon të shesë asetet e saj ndërkombëtare pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj kompanisë ruse, dhe një marrëveshje e mundshme me Exxon do të shënonte zgjerim të rëndësishëm të rikthimit të gjigantit amerikan të energjisë në Irak.

Exxon nuk komentoi mbi çështjen, ndërsa Lukoil nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters. Sipas burimeve, Departamenti i Thesarit i SHBA-ve ka dhënë leje për diskutime paraprake me Lukoil deri më 13 dhjetor, por çdo marrëveshje përfundimtare do të kërkojë miratim të posaçëm. Reuters raportoi muajin e kaluar se edhe Chevron po shqyrtonte opsione për blerjen e pjesëve të portofolit të Lukoil, shkruan Reuters.

Vlera e mundshme e aksioneve të West Qurna 2 vlerësohet nga bankierët në rreth 1.6 miliardë dollarë, bazuar në prodhimin dhe rezervat e saj prej mbi 8 miliardë fuçish.

Një fushë kyçe për Irakun dhe Lukoil

Aseti më i rëndësishëm ndërkombëtar i Lukoil është pjesa e saj prej 75% në West Qurna 2 — një prej fushave më të mëdha të naftës në botë, me prodhim rreth 470,000 fuçi në ditë. Kjo fushë përbën 0.5% të furnizimit global me naftë dhe rreth 9% të prodhimit të Irakut, vendi i dytë më i madh i OPEC pas Arabisë Saudite.

Së fundmi, Lukoil ka deklaruar “gjendje të jashtëzakonshme” në projekt, pasi qeveria irakiane pezulloi pagesat në para dhe në naftë. Exxon, e cila dikur operonte fushën fqinje West Qurna 1, u tërhoq nga projekti vitin e kaluar.

Në tetor, kompania amerikane nënshkroi një marrëveshje jo-detyruese për të ndihmuar Irakun në zhvillimin e fushës gjigande Majnoon dhe për të rritur kapacitetet e eksportit të naftës — një sinjal i qartë për rikthimin ambicioz të Exxon në vend.

Iraku kërkon rritje të prodhimit me partnerë të rinj ndërkombëtarë

Lëvizja e Exxon vjen ndërsa disa kompani të mëdha energjetike — përfshirë Chevron, BP dhe TotalEnergies — kanë nënshkruar marrëveshje të reja me Irakun, i cili synon të përshpejtojë prodhimin e naftës e gazit duke ofruar kushte më të favorshme.

“Exxon është opsioni ynë i preferuar për të marrë përsipër nga Lukoil,” tha një zyrtar i lartë irakian i përfshirë në mbikëqyrjen e operacioneve të kompanive të huaja në jug të vendit. Ai theksoi se kompania amerikane ka “kapacitetin dhe ekspertizën” për të menaxhuar një fushë kaq të madhe dhe komplekse.

Edhe ministria e naftës i bëri jehonë kësaj qasjeje. Sipas një deklarate të saj, Iraku ka ftuar disa kompani amerikane për të marrë pjesë në negociata dhe synon ta transferojë operimin e Ëest Qurna 2 përmes një procesi ofertimi konkurrues.