
Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë në Sofje dhe në të paktën 12 qytete të tjera të hënën mbrëma, në protestat më të mëdha që Bullgaria ka parë prej vitesh. Në sheshin para parlamentit në kryeqytet, organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 50 mijë vetë. Demonstruesit valëvitën flamuj bullgarë dhe të BE-së, duke brohoritur “Dorëheqje!” dhe duke projektuar fjalët “Mafia” dhe “Resign” mbi godinat qeveritare, përcjell DW.
Protestuesit kundërshtojnë buxhetin e propozuar për vitin 2026, i cili parashikon rritje të taksave mbi dividentët, rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shpenzime të shtuara në sektorin publik. Ata akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe kërkojnë dorëheqjen e koalicionit minoritar të kryeministrit Rosen Zhelyazkov. Bullgaria konsiderohet një nga vendet më të korruptuara në BE, menjëherë pas Hungarisë.
Pas përfundimit të protestës kryesore, pati përplasje të izoluara me policinë. Disa protestues hodhën gurë dhe shishe, dogjën kosha mbeturinash dhe dëmtuan një furgon policie. Të paktën 10 persona u arrestuan dhe dy efektivë u plagosën. U vandalizuan gjithashtu selitë e partisë në pushtet dhe një partie aleate.
Presidenti Rumen Radev bëri thirrje për ndalimin e dhunës dhe kërkoi dorëheqjen e qeverisë, duke thënë se “zgjidhja e vetme është dorëheqja dhe zgjedhjet e parakohshme”.
Qeveria pritet të tërheqë buxhetin e vitit 2026 dhe të paraqesë një draft të ri këtë javë. Kritikat lidhen me rritjen e taksave dhe kostove për qytetarët në vendin më të varfër të BE-së, teksa Bullgaria përgatitet të adoptojë euron më 1 janar 2026 – një ndryshim që sipas Bankës Qendrore Evropiane mund të sjellë rritje të inflacionit.