Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Mazhoranca mbron hajdutët, jo qytetarët



Deputeti i opozitës, Klevis Balliu, ka dalë me deklarata të ashpra ndaj mazhorancës, duke i akuzuar se mbrojnë “hajdutët” dhe nuk marrin masa për problemet e qytetarëve. Ai përmendi ministren Belinda Balluku, duke thënë se qeveria gjen kohë ta mbrojë atë, por jo të zgjidhë hallet e njerëzve.

Balliu kritikoi mungesën e ministrave në seancën e Kuvendit, duke theksuar se ministrja e Brendshme duhet të jepte llogari për tre atentatet e ndodhura në dy javët e fundit.

“Kjo sallë prodhon halle për shqiptarët. Çdo denoncim i opozitës përbuzet. DASH dhe Europol paskan shpifur kur thonë se jemi vend narkotrafikantësh?” – tha Balliu.

Ai akuzoi qeverinë se shpenzon kohë dhe para për të mbrojtur zyrtarët e saj në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa nuk ndërton kopshte apo shkolla në zonat e prekura nga përmbytjet, si Astiri.

“Gjeni kohë të mbroni hajdutë, por jo qytetarët që përmbyten. Nuk ka asnjë ministër në sallë të japë llogari. Ku është ministrja e Brendshme për 3 atentatet?” – u shpreh ai.

Balliu vuri në dyshim edhe “patriotizmin” e qeverisë, duke kujtuar deklaratat e kryeministrit që shprehej se shkonte më mirë me Serbinë sesa me Kosovën.

Në përfundim, ai akuzoi mazhorancën se është kthyer në “sallë hajdutësh” që justifikojnë vjedhjet dhe bëjnë propagandë, ndërsa opozita – sipas tij – nuk po përdor forcën e njëjtë ndaj tyre:

“Ju nxirrni shqiptarët jashtë, por ne nuk vijmë t’ju nxjerrim ju të gjithëve jashtë.”