Vendosni fjalën kyçe....

Zelenskyy pas takimit me Macron: Paqja në Ukrainë duhet të jetë “e qëndrueshme”


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka theksuar se çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën duhet të jetë “e qëndrueshme”, pas bisedimeve disaorëshe me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris.

Deklaratat e tij vijnë në një javë të ngjeshur diplomacie, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shtojnë presionin për t’i dhënë fund luftës.

Zelenskyy, i cili publikoi reagimin e tij menjëherë pas takimit përmes rrjeteve sociale, tha se bisedimet me Macron u përqendruan te negociatat për t’i dhënë fund konfliktit dhe te garancitë e sigurisë për Ukrainën, përcjell The Guardian.

“Gjatë bisedimeve disaorëshe, me Presidentin Macron analizuam shumë detaje. Fokusi kryesor ishte te negociatat për t’i dhënë fund luftës dhe te garancitë e sigurisë. Paqja duhet të jetë me të vërtetë e qëndrueshme. Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt. Shumëçka varet nga përfshirja e çdo lideri,” shkroi Zelenskyy.

Ai shtoi se ai dhe Macron do të vazhdojnë komunikimet me liderë të tjerë gjatë ditës, një nënkuptim se në këto kontakte mund të përfshihet edhe presidenti amerikan Donald J. Trump, i cili po luan një rol të drejtpërdrejtë në procesin e negociatave.

Takimi në Paris vjen në një moment delikat, ndërsa të martën në Moskë pritet të mbërrijë emisari amerikan Steve Witkoff, i cili do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.

SHBA ka intensifikuar përpjekjet diplomatike duke zhvilluar takime të ndara me delegacionet ukrainase dhe ruse, ndërsa Europa shpreh shqetësim se mund të lihet jashtë procesit.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së ka paralajmëruar se nuk duhet ushtruar presion mbi Ukrainën për të bërë lëshime, duke deklaruar: “Detyra jonë është të mbështesim viktimën, jo të shpërblejmë agresorin.”

Përplasjet e fundit në terren dhe tensionet politike brenda Ukrainës, përfshirë dorëheqjen e papritur të shefit të stafit Andriy Yermak, kanë shtuar ndjeshmërinë e situatës, duke e bërë këtë javë një moment kyç për diplomacinë ndërkombëtare rreth luftës.

Zelenskyy do të vazhdojë turin diplomatik, ndërsa pritet të udhëtojë nga Parisi drejt Irlandës të martën.