
Ervin Salianji do të nisë të mërkurën turin e dëgjesave me qytetarët, në kuadër të procesit të rifreskimit brenda Partisë Demokratike. Takimet do të nisin nga Durrësi, ku Salianji dhe ekipi i tij do të zhvillojnë biseda direkte me qytetarë dhe struktura lokale.
Ndërkohë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, pritet të nisë nesër (e martë) takimet me strukturat drejtuese në rrethe. Këto lëvizje vijnë paralelisht me aksionin opozitar para Kryeministrisë pas skandalit “Balluku”, ku sot u zhvillua protesta e tretë radhazi.
Javën e kaluar, një tryezë e veçantë prej tre orësh mblodhi emrat më të votuar të PD-së — si nga listat e hapura ashtu edhe fituesit e primareve — në një diskutim mbi të ardhmen e partisë. Takimi u thirr nga ish-deputeti Ervin Salianji dhe kishte të pranishëm figura si Ilir Alimehmeti (qarku Tiranë), Hysen Kadiu, Aulon Kalaja (Durrës), Gent Cela (Fier), Qani Xhafa (Elbasan), Ted Kopliku (Shkodër), Xhemal Gjunkshi (Dibër), Alma Kore (Gjirokastër), Pardid Mahmutaj (Berat), Nada Daullja (Vlorë) dhe një sërë kandidatësh të tjerë të votuar.
Burimet nga takimi thonë se synimi kryesor ishte marrja e mendimeve dhe sugjerimeve nga fituesit, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të mira për PD-në në këtë moment kritik politik. Diskutimet u fokusuan tek rikthimi i “ADN-së fituese” të partisë, forcimi i meritokracisë, hapja e strukturave dhe rritja e besimit te qytetarët.
“Rikthimi te ADN-ja fituese, meritokracia, hapja dhe besimi qytetar janë shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtojmë të ardhmen e partisë,” thanë burimet nga tryeza.
Këto zhvillime shihen si hapa të rëndësishëm drejt ringritjes së frymës dhe modelit organizativ të PD-së, me theks te zëri i qytetarëve dhe votuesve që kanë dhënë mbështetje reale në primare dhe zgjedhje brenda partisë.