Vendosni fjalën kyçe....

Protestat masive në Madrid kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Pedro Sanchez



Të dielën, dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në Madrid në një protestë të organizuar nga Partia Popullore (PP), duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit socialist Pedro Sanchez. Me pankarta ku lexohej “Mjaft është mjaft!” dhe “Jo edhe një ditë tjetër!”, protestuesit akuzuan qeverinë e majtë për korrupsion dhe kërkuan shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, përcjell DW.

Tubimi, i cili u zhvillua në qendër të kryeqytetit, mbante sloganin “Mafia apo demokraci?”. Sipas PP-së, në protestë morën pjesë rreth 80,000 persona, ndërsa Ministria e Brendshme e vlerësoi numrin rreth 40,000. Flamujt spanjollë valëviteshin në duart e protestuesve, të cilët thërrisnin “Jep dorëheqjen!” dhe “Sanchez, ik!”.

Në protestë morën fjalën edhe kryebashkiaku i Madridit, José Luis Martínez-Almeida, si dhe ish-kryeministri Mariano Rajoy.

Demonstrata u nxit nga vendimi i Gjykatës së Lartë më herët gjatë javës, që urdhëroi paraburgimin e ish-ministrit të transportit, José Luis Ábalos, dhe ish-këshilltarit të tij Koldo García. Çështja ka trazuar skenën politike spanjolle, duke shtuar kritikat ndaj qeverisë.

“Situata në Spanjë është bërë e papërballueshme,” tha për AFP një protestues 18-vjeçar, Daniel Noguera, duke theksuar rritjen e çmimeve dhe vështirësinë gjithnjë e më të madhe për të gjetur një banesë.

Pedro Sanchez, në detyrë që prej vitit 2018, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe se do ta çojë mandatin deri në vitin 2027. Ai ka akuzuar partitë e djathta për sulme të organizuara me qëllim dobësimin e tij politik.