
Përmbytje masive dhe rrëshqitje dheu kanë goditur Indonezinë, Tajlandën, Malajzinë dhe Sri Lankën, duke lënë të paktën 960 persona të vdekur deri të hënën dhe qindra të tjerë të zhdukur. Pas ditësh me reshje të dendura, përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje dheu, autoritetet në të gjithë rajonin po vijojnë punën për pastrimin e rrugëve të bllokuara, heqjen e mbeturinave dhe kërkimin e personave të zhdukur, përcjell DW.
Indonezia, vendi më i goditur
Indonezia ka pësuar dëmet më të mëdha, me të paktën 442 viktima dhe 402 persona të zhdukur, sipas agjencisë kombëtare të menaxhimit të katastrofave. Dy qytete në ishullin Sumatra – zona më e prekur – mbeten të pakalueshme. Autoritetet thanë se dy anije luftarake janë nisur nga Xhakarta për të çuar ndihma.
“Dy qytete kërkojnë vëmendje të veçantë për shkak të izolimit, Tapanuli Central dhe Sibolga,” tha kreu i agjencisë Suharyanto, duke njoftuar se anijet pritet të mbërrijnë në Sibolga të hënën.
Presidenti indonezian, Prabowo Subianto, që mbërriti në Sumatrën Veriore, tha se “më e keqja ka kaluar, shpresojmë,” teksa theksoi se prioritet është dërgimi urgjent i ndihmave, veçanërisht për fshatrat e izoluar.
Sri Lanka shpall gjendjen e emergjencës
Sri Lanka raportoi 340 viktima pas një jave reshjesh të fuqishme të shkaktuara nga cikloni Ditwah, ndërsa rreth 400 persona konsiderohen të zhdukur. Zona të tëra në veri të Kolombos u përmbytën, duke prekur mbi një milion banorë. Presidenti Anura Kumara Dissanayake shpalli gjendjen e emergjencës dhe mobilizoi ushtrinë për përpjekjet e shpëtimit.
Tajlanda përballet me kritika të ashpra
Të paktën 176 persona kanë humbur jetën në Tajlandë, në atë që autoritetet e përshkruajnë si një nga përmbytjet më të rënda të dekadës së fundit. Teksa furnizimet po shpërndahen dhe dëmet e mëdha po vlerësohen, është rritur zemërimi publik ndaj reagimit të qeverisë, duke çuar në pezullimin e dy zyrtarëve lokalë.
Malajzia raporton dëmet më të ulëta
Malajzia raportoi dy viktima pasi përmbytjet kanë goditur shtetin verior të Perlisit, duke zhytur nën ujë shumë zona.
Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po ndikojnë në intensitetin e stuhive, duke rritur sasinë e reshjeve, zgjatur kohëzgjatjen e tyre dhe rritur rrezikun e përmbytjeve të vrullshme në rajon.