
Në Kosovë është përmbyllur afati ligjor për deklarimin e koalicioneve dhe aplikimin për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Gjatë periudhës 24–30 nëntor 2025, gjithsej 23 subjekte politike kanë dorëzuar online formularët për certifikim, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Në total, kanë aplikuar tre koalicione, 17 parti politike, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur, të gjitha në garë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Tre koalicionet që kanë dorëzuar aplikimet janë: Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim; Koalicioni “Koalicija VAKAT”, që përfshin Demokratska Stranka Bošnjaka, Bošnjačka Stranka Kosova dhe Demokratska Stranka Vatan; si dhe Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga Vetëvendosje!, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.
Ndërkohë, 17 partitë politike që kanë aplikuar për certifikim përfshijnë LDK-në, PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe, si edhe një sërë partish të komuniteteve si Kosovaki Nevi Romani Partia, Kosovska Demokratic Türk Partisi, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska Unija – SDU, Nova Demokratska Stranka – NDS dhe të tjera.
Dy iniciativa qytetare kanë dorëzuar aplikime: Për Socialdemokratët e Ashkalinjëve dhe Iniciativa Qytetare për Kosovë, ndërsa kandidati i vetëm i pavarur është Nedžmidin Sejdilar.
Sipas KQZ-së, deri më 7 dhjetor 2025, të gjitha subjektet që kanë aplikuar brenda afatit duhet të dorëzojnë përmes platformës zyrtare listat e kandidatëve për deputetë. Pas kësaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë procesin e verifikimit dhe certifikimit përfundimtar të subjekteve që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.