
Një sulm me raketa ruse në qytetin lindor ukrainas të Dnipros ka vrarë katër persona dhe ka plagosur 40 të tjerë, njoftuan autoritetet.
Raportet paraprake, ende të pakonfirmuara, thonë se në sulmin e kryer të hënën në mëngjes mund të jetë përdorur një raketë balistike.
Video të publikuara online treguan një shpërthim të fuqishëm pranë një autostrade, ndërsa mediat lokale raportuan se një godinë zyrash, automjete dhe dyqane u goditën ose u dëmtuan rëndë, përcjell BBC.
Dnipron, që ndodhet rreth 100 kilometra nga vija e frontit, Rusia e ka sulmuar shpesh që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Sulmi ndodhi një ditë përpara se i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, të takojë Presidentin Vladimir Putin në Moskë për bisedime që synojnë t’i japin fund luftës.
Witkoff e ka vizituar disa herë këtë vit presidentin rus, por nuk ka udhëtuar asnjëherë në Kiev.
Të dielën, një delegacion ukrainas u takua me Witkoff-in, Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe dhëndrin e Donald Trump-it, Jared Kushner, në Florida.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha të hënën se bisedimet ishin “shumë konstruktive”, por se kishte ende “çështje të vështira” për t’u zgjidhur, duke reflektuar edhe komentet e Rubio-s, i cili i quajti bisedimet “produktive”, por shtoi se “duhet bërë më shumë punë”.
Takimi i Floridës ishte pjesë e një vale diplomacie intensive që për javë të tëra ka përfshirë delegacione ukrainase dhe ruse në bisedime të ndara me zyrtarë amerikanë për një plan paqeje.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, dallimet mes Moskës dhe Kievit mbeten të thella.
Rusia nuk heq dorë nga kërkesa e saj kryesore që Ukraina të tërhiqet nga territoret që mban ende në Donbas, një kërkesë që Kievi ka deklaruar se nuk do ta pranojë kurrë.
“Nëse ata nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcë armësh,” tha Putin. Zelensky iu kundërpërgjigj duke thënë se Rusia “përçmon” përpjekjet “për t’i dhënë vërtet fund luftës”.
E ardhmja e sigurisë së Ukrainës është një tjetër pikë përplasjesh. Kievi dhe vendet evropiane kërkojnë garanci të forta sigurie, përfshirë anëtarësimin në NATO, për të parandaluar një sulm tjetër rus.
Por Rusia i kundërshton fuqishëm, dhe Donald Trump ka thënë se Ukraina nuk do të lejohet të anëtarësohet në aleancë.
Ndërkohë, Zelensky ka mbërritur në Paris për të kërkuar mbështetje nga Presidenti Emmanuel Macron dhe pritet të udhëtojë drejt Irlandës të martën.
Kohët e fundit ka pasur shqetësime në Kiev dhe në Evropë se SHBA-ja po i afrohet më shumë kërkesave të Rusisë sesa atyre të Ukrainës, ndërsa Europa po lihet jashtë tryezës së bisedimeve.
Pozitat politike të Zelensky-t janë goditur edhe nga një skandal korrupsioni.
Shefi i tij i stafit, Andriy Yermak, i cili drejtonte po ashtu delegacionin ukrainas në bisedimet e paqes, dha dorëheqjen të premten pasi hetuesit anti-korrupsion kontrolluan banesën e tij, edhe pse ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje. Dy ministra të kabinetit janë shkarkuar gjithashtu.
Të dielën, Trump u tha gazetarëve në Air Force One se Ukraina kishte “disa probleme të vogla, por të vështira”, duke iu referuar skandalit, dhe përsëriti qëndrimin e tij se si Rusia ashtu edhe Ukraina duan t’i japin fund luftës.
Qindra mijëra ushtarë janë vrarë ose plagosur, mijëra civilë kanë humbur jetën dhe të paktën shtatë milionë persona kanë braktisur vendin që nga pushtimi rus më 24 shkurt 2022.
Konflikti mes dy ish-republikave sovjetike zanafillën e ka në vitin 2014, kur presidenti pro-rus i Ukrainës u rrëzua dhe Rusia reagoi duke aneksuar Krimenë dhe duke mbështetur kryengritjet e armatosura në lindje të vendit.