
Forcat izraelite vranë Abdallah Hamad, djalin e anëtarit të lartë të Byrosë Politike të Hamasit, Ghazi Hamad, së bashku me disa komandantë dhe operativë të tjerë të organizatës teksa po dilnin nga një tunel në Rafah, raportuan të hënën burime palestineze.
Sipas burimeve, mes të vrarëve ishte edhe Abu Ahmed al-Bawab, komandant i batalionit të Rafahut Lindor, si dhe Ismail Abu Labda, i njohur si “Abu Hudayfa”, i përshkruar nga palestinezët si koordinator i “ceremonive të lirimit të pengjeve” dhe ndërlidhës me Kryqin e Kuq, përcjell Ynet.
Operacionet u zhvilluan në zonën lindore të Rafahut, tashmë nën kontrollin izraelit, ku në javët e fundit ushtria ka raportuar eliminimin e dhjetëra militantëve të Hamasit dhe shkatërrimin e qindra tuneleve, puseve hyrëse dhe infrastrukturës tjetër nëntokësore.
Sipas përditësimit të fundit të IDF-së, vetëm në të ashtuquajturin “xhepi i Rafahut” janë vrarë mbi 40 militantë.
Raportimet palestineze thonë se Abdallah Hamad ishte pjesë e një grupi militantësh të bllokuar në tunele, të cilët humbën kontaktet me komandën pasi hyri në fuqi armëpushimi në tetor.
Vdekjen e tij e konfirmoi edhe vëllai, i cili publikoi një nekrologji duke shkruar se Hamad “e takoi fatin e tij dhe nuk u arratis”.
Operacionet izraelite në këtë zonë kanë vazhduar për javë të tëra, me ushtrinë që përdor mjete të avancuara zbulimi dhe goditjeje. Disa nga militantët e bllokuar janë vrarë nga ajri, të tjerë janë kapur për t’u marrë në pyetje, ndërsa pjesa tjetër, sipas raporteve, ka tentuar arratisjen ose ka planifikuar sulme vetëvrasëse.
Ndërkohë, një figurë e lartë e Hamasit, Hussam Badran, pretendoi se Izraeli u kishte ofruar militantëve një dalje të sigurt drejt Egjiptit nëse dorëzoheshin të paarmatosur dhe me flamur të bardhë, por se oferta ishte “refuzuar kategorikisht”.
Ai akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit përmes “vrasjeve të vazhdueshme që synojnë të sabotojnë marrëveshjen”.
Nga ana tjetër, regjisori dhe influencuesi arab Ezzeldeen Dwedar kundërshtoi pretendimet se udhëheqja e Hamasit i ka braktisur luftëtarët e bllokuar. Ai tha se vdekja e Abdallah Hamad tregon se “udhëheqja është brenda tuneleve”, duke akuzuar ndërmjetësit për “braktisjen e luftëtarëve të Rafahut” deri në vdekje nga uria ose goditjet e IDF-së.
IDF thuhet se të dielën në darkë ka vrarë edhe katër militantë të tjerë që u panë duke dalë nga një tunel, një operacion i kryer nga trupat e Divizionit të Gazës me mbështetjen e Forcave Ajrore.
Ushtria beson se mes të vrarëve ishin komandanti i Brigadës së Rafahut, zëvendësi i tij dhe një komandant kompanie. Burimet palestineze vijojnë ta përshkruajnë situatën si “rrethim të zgjatur” të dhjetëra luftëtarëve të Hamasit, të mbetur pa ushqim dhe pa furnizime.